Vajza e Bill dhe Melinda Gates i jep fund beqarisë, ja pamjet nga dasma përrallore prej 2 milionë dollarësh

Jennifer Gates, vajza 25-vjeçare e Bill Gates dhe Melinda French Gates, ka dhënë fund beqarisë dhe është martuar me kalorësin Nayel Nassar.

Sipas “Daily Mail”, dy ditë pas ceremonisë të së shtunës në fermën e çiftit në Westchester County, në Nju Jork, Jennifer ndau në rrjete sociale një fotografi romantike.

“Universi im, 10.16.21“– ishte mbishkrimi nga Jennifer.

Fotografia, në të cilën nëna e nuses, Melinda mund të shihej duke festuar momentin historik të vajzës së saj, gjithashtu tregoi fustanin e dasmës nga “Vera Wang Haute”: një fustan me fildish me mëngë të gjata, të mbuluara me dantella franceze.

Dasma filloi zyrtarisht të premten, me një ceremoni martese islame, në të cilën morën pjesë familja e ngushtë e Jennifer dhe Nassar. Të nesërmen, çifti hapi festën e tyre për më shumë familjarë dhe miq, të cilët ishin të gjithë të vaksinuar dhe të testuar për COVID-19 para ceremonisë së madhe.

Prindërit e Jennifer njoftuan në fillim të këtij viti se janë divorcuar. Për shkak të kësaj, 25-vjeçarja tha se dasma prej 2 milionë dollarësh ishte e vështirë të organizohej.

“Ka qenë një vit sfidues, si për të gjithë nga pandemia, ashtu edhe për familjet tona që po kalojnë një tranzicion. Por dashuria jonë për njëri-tjetrin ka qenë e vazhdueshme. Organizimi i dasmës dhe pjesëmarrja në të e miqve dhe e familjeve tona, ishte një ëndërr e realizuar,”– tha ajo.