Vajza dhe djali i Kastriot Çaushit kur janë bashkë identikë si prindërit e tyre në rini
Djali brun tipik dhe vajza bionde, aq sa kur janë bashkë duken si shëmbëlltyra e vërtetë e prindërve të tyre në rini, aktorit Kastriot Çaushi dhe bashkëshortes së tij, Valbona. Fiona dhe Eros Çaushi janë dy fëmijët simpatikë të aktorit me karrierë të suksesshme në vitet ’90-të, i cili shquhej edhe për sharmin e bukuroshit brun. Fiona dhe Eros bien në sy në Tiranë me pamjen që e kanë trashëguar nga prindërit, ndërkohë që nuk kanë preferuar famën e babait të tyre, edhe pse punojnë të dy në televizion, por në paskuinta. Fiona, punon si specialiste e Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Radio-Televizionit Publik Shqiptar, pasi është diplomuar në Universitetin e Bolonjës për Marrëdhënie Ndërkombëtare Diplomatike. Ndërsa Eros, është më pranë babait në profesion. Ai ka studiuar në degën regji, dhe punon si regjisor pranë Digitalb. Fiona bie në sy për linjat dhe stilin e bukur të veshjeve, ndërkohë që poston shpesh foto me vëllain artist. Në fotot që nëna e tyre Valbona ndan në rrjetet sociale, miqtë nuk lënë pa evidentuar faktin që djali i ngjan shumë Kastriotit. “Po pra, thonë kopje Kastrioti për djalin”, u përgjigjet ajo mikeshave, duke qeshur. Kastriot Çaushin, aktorin e spikatur të kinemasë shqiptare, së fundmi e kemi parë më pranë televizionit, siç ishte spektakli “Tu Si Que Vales Albania”, që transmetohet në ekranin e “Vizion Plus”. Çaushi lindi në Tepelenë në vitin 1954, dhe njihet si aktor i suksesshëm i kinemasë së viteve ’80-të dhe pedagog i aktrimit. Në kulmin e karrierës së tij ai është vlerësuar me disa çmime si: me Medalionin e Festivalit të Filmit me rolin e Vasil Laçit në filmin “Plumba Perandorit” (1980), kupën për aktorin më të mirë me rolin e Kujtimit në filmin “Qortimet e vjeshtës”, dhe në fund Medalionin për rolin e Ilirit në filmin “Shirat e vjeshtës” (1984). Edhe pse vitet kanë kaluar, ai mbetet shumë sharmant si personazh televiziv.