Urimi i Elton Dedës për të birin në 16-vjetorin e lindjes i prek të gjithë: “Të kam të shtrenjtë, e di që disa nga detyrat e mia atërore s’i kam përmbushur me sukses!

Djali i ish-çifit të njohur, Elton Dedës dhe Jola Manit, feston sot 16-vjetorin e lindjes. Megjithatë këngëtari nuk mundet të jetë pranë të birit në këtë ditë kaq të rëndësishme për të, pasi Fjordi jeton në SHBA me nënën e tij, që pas divorcit të prindërve. Ndaj në ditën e lindjes, Elton Deda ka vendosur ti kërkojë ndjesë të birit që nuk është sot pranë tij, duke shtuar se është i vetëdijshëm që disa nga detyrat e tij atëror nuk i ka përmbushur me sukses. Ai u shpreh se e do dhe do ta dojë gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje.


“Biri im i shtrenjtë. Ti sot mbush 16 vjeç. Duke njohur që disa nga detyrat e mia atërore nuk i kam përmbushur me sukses, të kërkoj ndjesë që nuk të jam pranë. Por unë të dua dhe do të të dua gjithmonë ashtu si të desha sot para 16 vjetësh, kur piskama jote buçiti gjithë tërsëllëme në këtë botë të çuditshme. Qofsh gjithmonë i lumtur dhe i bardhë ashtu siç di vetëm Ti te jesh. Të dua fort Babi”, shkroi artisti në një postim në Facebook.


Elton Deda dhe vajza e Pirro e Pavlina Manit i dhanë fund martesës 7-vjeçare në vitin 2012. Pas ndarjes kantautori u rikthye në Shqipëri për tu përkushtuar tek muzika, ndërsa bashkëshortja e tij vazhdoi jetën në Amerikë së bashku me djalin e tyre. Në atë kohë ish-çifti u komentua për lidhje të fortë dhe pasionante me njëri-tjetrin. Elton Deda dhe Jola Mani e mbajtën lidhjen e tyre prej pesë vitesh në distancë larg njëri-tjetrit, pas largimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Më pas edhe kantautori u zhvendos në Amerikë, ku edhe u martua me Jola Manin. Vetë Deda, e komentoi në atë kohë, vendimin për të udhëtuar drejt Amerikës dhe për të jetuar atje si “një ritakim me Jolën, pas një ftese nga ana e saj fillimisht për një tjetër shans për lidhjen e tyre, meqë kishin rreth 5 vite larg njëri-tjetrit”, ritakim që funksionoi. /Panoramaplus.al