U thye edhe ashti i fundit i njerzillëkut të shoqërisë!
Nga Sonila Meço
Kam ngecur tek kërcitja e tmerrshme e kockës së njomë të një vogëlusheje 3 vjeçare…
U thye edhe ashti i fundit i njerzillëkut të shoqërisë, eshtra bazike e ekzistencës, kufiri i fundëm i tolerancës, skaji i epërm i durimit të një shoqërie, që është tkurrur në mbijetesë shpirtërore e kulturore.
I gjithë zinxhiri garantues, mbrojtës, sigurues, ushqyes e kultivues i njeriut për njeriun, i shtetit për qytetarin, i ministrisë për institicionin arsimor, i edukatores për fëmijën, i doktorit për pacientin, i policit për të pambrojturin, i shoqërisë për familjen, i drejtësisë për viktimën, i të rriturit për të voglin, i shoqërisë civile për të drejtat e njeriut, i politikës për taksapaguesin, i biznesit për klientin, i shpirtit për shpirtin është shpërbërë e shkërmoqur si të ishim tribalë, të humbur e të harruar civilizimi.
Dhe Jo! Nuk ndodh kudo në botë dhe Po, veç në filma mund të haset skenari i një fantazie patologjike të fshehjes së një krimi mbi pafajësinë e dlirë të një fëmije nga të gjitha institucionet.
Se mirë u çmend edukatorja, pas saj koleget, pas tyre drejtoresha, pas saj ministria, më pas mjeku, pas tij polici, edhe më pas tij oficeri i policisë gjyqësore, tej më pas tij gjykata….por nëse janë çmendur këta, dyshoni më se jemi të shëndetshëm mendërisht ne të tjerët?
Po si mund të prodhojë një zinxhir kaq të përsosur kriminal një shoqëri e tërë, që peshon me qesëndi kalbjen e vet mbi ashtin e njomë të një fëmije, teksa këndon e lumtur, nga vendi ku duhej të qe më e mbrojtur se kurrë?
A e kuptoni, që kemi kapur fundin?/dritare.net