U rendit e dyta në Festivalin e Këngës: Elvana Gjata reagon për herë të parë

Këngëtarja Elvana Gjata ka reaguar për herë të parë pasi u rendit e dyta në Festivalin e 63-të të Këngës, duke mos pasur mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.

Përmes një shkrimi në “Instastory”, këngëtarja shpreh falenderimet për të gjithë mbështetësit e saj dhe për këdo që e votoi.

“Faleminderit për gjithë dashurinë, votat tuaja dhe mesazhet e panumërta që më dërguat gjatë FIK63.

Unë jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që më mbështetën gjatë gjithë rrugës për në finale dhe premtoj ta kthej atë dashuri dhjetëfish përmes muzikës sime.”, shprehet ajo.

Më tej, këngëtarja uroi këngën fituese, ndërsa kërkoi që të mos përdoret gjuhë urrejtjeje në asnjë moment.

Po ashtu, ajo theksoi se mirëpret kritikën konstruktive, si e vetmja gjë që ka vend në muzikë e kudo tjetër.

Përtej këngës apo artistit që e përfaqëson në këtë kompeticion, Elvana theksoi se dëshiron gjithmonë më të mirën për Shqipërinë në skenat ndërkombëtare.

“I uroj gjithmonë më të mirën vendit tim dhe kujtdo që e përfaqëson atë në skenat ndërkombëtare.

E njëjta gjë vlen edhe për Shkodra Elektronik-duke ju uruar një eksperiencë të mrekullueshme në Eurovision 2025!

Unë e mirëpres kritikën konstruktive pasi më ndihmon të bëj më mirë, por le ta mbajmë bisedën pa gjuhën e urrejtjes – ajo nuk ka vend në muzikë apo askund tjetër. Me dashuri Elvana”, shkruan ajo.

Elvana Gjata me këngën “Karnaval” ishte një ndër pretendentet kryesore, por u shpall në vendin e dytë.

Shkodra Elektronike u shpall fituese e edicionit të 63-të të “Festivalit të Këngës” me këngën “Zjerm” dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Song Contest 2025.

Ndryshe nga edicionet e fundit – ku kënga përfaqësuese në Eurosong zgjidhej përmes votave të publikut – këtë herë kënga fituese u shpall përmes votimit të jurisë profesioniste, diasporës dhe votave me SMS.

Anabelmagazine