U raportua se u arrestua në Turqi, Valdrin Sahiti dorëzon pasaportën diplomatike
Sipas “Gazeta Express” dhe “Klankosova.tv”, stilisti i njohur Valdrin Sahiti ka dorëzuar pasaportën diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme në 26 prill, 13 ditë pasi u raportua se ishte arrestuar nga policia turke në aeroportin e Stambollit për posedim të lëndëve narkotike.
“Z.Sahiti ka dorëzuar në MPJD pasaportën diplomatike me datë 26.04.2023. Të njëjtit me kërkesë të tij, i është pa vleftësuar pasaporta diplomatike. Gjithashtu ju njoftojmë se deri tani, MPJD nuk ka pranuar asnjë raport zyrtar nga autoritetet turke, lidhur me raportimet e mediave për ndalimin a arrestimin e Z.Sahiti në shtetin turk,” -kanë thënë për “Express” zyrtarja për media nga Ministria e Punëve të Jashtme, Qëndresa Fazliu.
Kujtojmë se në 12 prill u raportua se policia turke ka arrestuar stilistin e njohur nga Kosova, pasi u tha se u kap në flagrancë nga policia turke e cila më pas ka lajmëruar atë kosovare. Gjatë asaj kohe u dyshua se Sahiti ka shfrytëzuar statusin e diplomatit për të kaluar në zonën VIP të aeroportit të Stambollit.