U raportua i vdekur, gjenerali i lartë iranian mesazh në media: Jam gjallë

Një nga figurat më të larta ushtarake dhe politike në Iran, Ali Shamkhani, ka hedhur poshtë raportimet për vdekjen e tij pas sulmeve izraelite të 13 qershorit, duke deklaruar se është gjallë dhe i vendosur të vazhdojë shërbimin ndaj vendit.

Në një mesazh të publikuar të premten nga disa media shtetërore iraniane, Shamkhani theksoi:

“Jam gjallë dhe gati të sakrifikoj veten. Fitorja është afër. Emri i Iranit do të shkëlqejë në majat e historisë si gjithmonë.”

Mesazhi i tij drejtohej Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe u transmetua nga agjencitë IRNA, Tasnim dhe Fars. Megjithatë, mediat nuk publikuan ndonjë foto të re të Shamkhanit.

Shamkhani, i cili aktualisht shërben si këshilltar i lartë i Khameneit, ishte raportuar më parë si një nga figurat e vrara në sulmet izraelite të 13 qershorit ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore në Iran. Raportime më të fundit nga burime iraniane thonë se ai është “i plagosur rëndë, por në gjendje të qëndrueshme” dhe ndodhet nën kujdes spitalor.

I njohur si ish-sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit dhe me përvojë të gjatë në Gardën Revolucionare si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, Shamkhani ka luajtur rol kyç në diplomacinë bërthamore të Iranit me Perëndimin. Ai ka qenë një nga figurat më të njohura të politikës së jashtme iraniane në Uashington dhe kryeqytetet evropiane.

euronews.al