U përndoq dhe u sulmua, Ambasada Holandeze për dhunën ndaj transgjinores: Jemi të shokuar
Një anëtare komunitetit trasgjinor në Shqipëri, Anxhela H., është përndjekur dhe dhunuar nga disa persona të paidentifikuar. Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Anxhela është sulmuar për shkak se ka marrë pjesë në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë.
Komisioneri ka kërkuar nga policia dhe prokuroria që të identifikojnë dhe të marrin masa ndaj personave që dhunuan transgjinoren.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënon me ashpërsi sulmin fizik e psikologjik ushtruar ndaj Anxhela H., pjesë e komunitetit transgjinor në Shqipëri. Nga raportimet e para mësohet se pjesëtarja e komunitetit transgjinor është përndjekur dhe sulmuar, duke u targetuar për marrjen pjesë në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë. Komisioneri Dr. Gajda nxit Policinë e Shtetit dhe prokurorinë e Tiranës të marrin masa për të identifikuar personat që kryen aktin e pashembullt të dhunimit, diskriminimit dhe përndjekjes së Anxhelës. Aktet e dhunës, diskrimiminimit dhe krimet e urrejtjes ndaj komunitetit transgjinor, çdo komuniteti tjetër apo grupi vulnerabël është e papranueshme në një shoqëri demokratike që aspiron standarte të larta të respektimit të të drejtave Njerëzore”, thuhet në deklaratën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Ambasada e Holandës në Tiranë, e cila thekson se ndihet e shokuar nga ky akt i dhunës.
“Të shokuar nga ky akt dhune kundër një anëtare të komunitetit transgjinor në Shqipëri, Ambasada Hollandeze mbështet deklaratën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që dënon sulmin dhe i bën thirrje autoriteteve ligj zbatuese të marrin masat e duhura. Gjithsecili duhet të jete i lire të jetë vetvetja dhe të dashurojë këdo që deshiron”, thuhet në reagimin e Ambasadës Holandeze.
Top Channel