“U kërkoj falje për gabimet”, Adi Pojani përlotet në emision: Nëna merakoset për mua edhe nga parajsa (FOTO)

Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel u diskutua rreth thirrjes së aktorit të njohur, Mehdi Malkaj, i cili kërkon që të “mos shajmë më nga nëna”.

“Zonja dhe zotërinj, miq dhe shokë do ju lutesha për një gjë mos shani më nga nëna në Facebook se latë nam, nuk keni punë me nënat o njerëz. Nëna është shenjtore, nëna nuk është një gjë e zakonshme. Unë që flas nuk kam patur lidhje me nënën se më ka lënë kur kam qenë pesë vjeç, ndoshta unë e ndjej dhimbjen më shumë se ju. Nëna është shenjtore”, thoshte pak ditë më parë aktori.

Në një studio paralele ishte gazetari, Adi Pojani, i cili i emocionuar dhe i përlotur u shpreh se çdo mëngjes zgjohem me dy emra, me nënën dhe Zotin.

“Unë ulem në gjunjë gjithmonë para fotos së prindërve të mi, apo kur shkoj në varreza se nuk i kam prindërit, u kërkoj falje për të gjitha gabimet që kam bërë”, tha Pojani.

Që në fillim Adi zbuloi se kishte veshur dy çorape të ndryshme, pikërisht se nuk e ka nënën që të kujdeset për të. “Nënat edhe nga parajsa merakosen për ne”, tha ai duke i përlotur të gjithë.

I pyetur nëse e kanë fyer ndonjëherë apo nëse ka sharë vetë ai, Adi tha “po”. “Kam fyer. Është vështirë të të fyej dikush, e fatmirësisht nuk më kanë sharë njeri nëpërmjet rrjeteve sociale. Mund të më shajnë për gjëra të tjera, por jo nga nëna .Kjo punë do një kod nderi, se e kanë të lehtë që të shajnë nga larg”, tha gazetari i njohur.