U gjet duke fjetur në varkë, djali 4-vjeçar rikthehet në krahët e babait pas zhdukjes së nënës. Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e aktores
Djali 4-vjeçar i aktores së zhdukur në liqen, Naya Rivera, është rikthyer në krahët e babait të tij Ryan Dorsey pasi u gjet duke fjetur në varkë.
Ish-bashkëshorti i aktores është fotografuar me djalin në krahë ndërsa largoheshin nga shtëpia e motrës së Nayas, modeles Nickayla Rivera në Valencia.
Dorsey, i cili kishte kujdestari të përbashkët për djalin pas ndarjes nga ylli i Gleee, raportohet se është mërzitur shumë pasi mori vesh lajmin për zhdukjen e aktores.
36-vjeçari refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve, duke thënë se i duhej të kujdesej për djalin e tij.
Sipas miqve të tij, ai nuk e kishte idenë se Naya e kishte marrë djalin për të bërë xhiro në Liqenin Piru të mërkurën.
Daily Mail raporton se Dorsey u nis menjëherë në vendin e njohur turistik pasi u njoftua se djali i tyre ishte gjetur në varkë.
Ish-çifti janë martuar në vitin 2014 dhe u ndanë në qeshor 2018.
Policia publikoi edhe pamjet e lëvizjeve të fundit të aktores pas mbërritjes në Liqenin e Piru.
Në video 33-vjeçarja shihet në video duke mbërritur në liqen me automjetin e saj të zi.
Ajo merr djalin 4-vjeçar nga ndenjësja e pasme dhe shkon drejt varkave ku merr me qira një prej tyre.
Më pas aktorja shihet duke u larguar me varkë nga bregu i liqenit, për të mos u kthyer më kurrë.
Video është bërë publike nga policia pas një operacioni të madh kërkim-shpëtimi në Liqenin Piru, ku morën pjesë ekipet e zhytjes dhe helikopterë.
Aktorja ende nuk është gjetur dhe mendohet se ka vdekur. Ndërsa djali i saj 4-vjeçar u gjet duke fjetur gjumë në varkë nga një anije tjetër tre orë pasi aktorja doli për xhiro në liqen.
Djali tha për policinë se ai së bashku me nënën e tij hynë për tu larë në liqen, por Rivera nuk u kthye më në varkë.
Një zëdhënës i policisë tha se për të gjetur trupin e aktores duhet disa kohë.
“Nëse trupi është ngatërruar në diçka nën ujë, ne nuk mund ta gjejmë më kurrë. Ne po bëjmë më të mirën tonë për ta gjetur atë. Po përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion,”– tha ai.
Më shumë se 100 njerëz janë përfshirë në operacionin e kërkim shpëtimit.
/Panoramaplus.al