U bllokua në trafik për shkak të protestës, gruaja lind foshnjen në makinë
Një grua ka lindur foshnjen e saj në makinë si pasojë e bllokimit të rrugëve nga protesta e opozitës. Në pamjet e siguruara nga gazetarja e Klan News, Glidona Daci duket momenti kur gruaja mbërrin në ambientet e spitalit të Traumës me makinë private.
Bëhet e ditur se gruaja teksa ishte rrugës për në Maternitet ka mbetur e bllokuar në trafikun e krijuar si pasojë e protestës së opozitës. Ndërkohë paraprakisht bëhet e ditur se fatmirësisht, gruaja dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Opozita protestoi të hënën për 3 orë kundër qeverisë Rama, duke nisur kështu ditën e parë të mosbindjes civile, siç e konsideroi edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.
Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë, aty ku protestuesit hodhën molotov. Më pas, turma e njerëzve e udhëhequr nga drejtuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën edhe drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës e Parlamentit, ku u hodh molotov.
/tvklan.al