U arrestua për trafikim femrash: Si një picë çoi në arrestimin e Andrew Tate

Debati online e Andrew Tate me Greta Thunberg duket se ka ndihmuar në arrestimin e influencuesit dhe ish-luftëtarit të MMA, i cili kërkohej nga autoritetet me akuzën e trafikimit seksual të femrave.

Andrew dhe vëllai i tij, Tristan, u arrestuan në Rumani dhe aktualisht ndodhen në paraburgim në Bukuresht. Autoritetet dukej se ishin në gjurmët e dy vëllezërve, por një video e Tate që tallte Thunberg ishte ajo që zbuloi vendodhjen e tij dhe i ndihmoi autoritetet ta gjurmonin atë. Më konkretisht, pica rumune që ai po shijonte në një nga videot e tij dhe logoja e saj çoi në zbulimin dhe arrestimin e tij më pas.

Influencuesi Tate, i cili ndonjëherë është akuzuar për mizogjini dhe është ndalur nga disa platforma të mediave sociale, po hetohej nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit (DIICOT) dhe raportet në Rumani pretendojnë se ai dhe vëllai i tij janë duke u marrë në pyetje për akuzat e trafikimit të femrave.

Sipas informacioneve të “Daily Mirror”, dy vëllezirt kishin kaluar edhe në hetuesi në muajin prill, pasi dy vajza kishin pretenduar se ishin detyruar të kryenin akte seksuale kundër dëshirës së tyre. Megjithatë, të dy u lanë të lirë, pavarësisht se hetimi vazhdon për t’i çuar autoritetet drejt identifikimit dhe arrestimit eventual të tyre. Vëllezërit Tate dhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, pritet të përballen me akuzat e përdhunimit, trafikimit të femrave dhe formimit të një grupi të krimit të organizuar.

Sipas agjencicë rumune, prokurorët thanë se vëllezërit Tate krijuan një grup krimi të organizuar me qëllim të rekrutimit dhe shfrytëzimit të femrave duke i detyruar ato të krijojnë përmbajtje pornografike, nga të cilat kanë fituar shuma të konsiderueshme parash./ h.ll/abcnews.al