U arrestua për trafik armësh, gjykata lë në burg këngëtaren Fjolla Morina!
Dy ditë pas arrestimit në Prishtinë, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për këngëtaren Fjolla Morina nën akuzën e trafikut të armëve. Ajo do të qëndrojë në paraburgim për 40 ditë deri në përfundim të hetimeve nga ana e prokurorisë. Arratia e këngëtares Fjolla Morina mori fund më 17 korrik ku ajo u arrestua në një lokal në Prishtinë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës bëri kërkesë për shpallje në kërkim ndërkombëtar të këngëtares më 20 prill të këtij viti, pasi u dënua me 6 vjet burgim për “Trafik të armëve dhe municionit”.
Morina, e cila u arratis në fillim të këtij viti nga banesa në Kukës ku qëndronte në arrest shtëpie, ka qenë në kërkim vetëm brenda vendit tonë. Kërkesa për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Morinës u firmos nga prokurori Edmond Karriqi, i cili ndryshoi fillimisht edhe akuzën ndaj këngëtares.
Morina u dënua në 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vjet burgim dhe me zbritjen e 1/3-s së dënimit, ajo do të kryejë 6 vite burgim. Gjykata më herët ndryshoi edhe klasifikimin e veprës penale nga “Armëmbajtje pa leje” në “Trafikim ndërkombëtar të armëve”, që e rëndoi pozitën e këngëtares.
ARRESTIMI
Këngëtarja Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2019 menjëherë sapo kaloi Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës drejt Kukësit, e shoqëruar nga i fejuari i saj, Fisnik Syla, dhe shoferi Fitim Muji. Sipas dëshmive të dhëna nga Morina, Syla dhe Muji po udhëtonin drejt Tiranës sepse “e pandehura kishte për të bërë një klip”. Policia ushtroi kontroll në makinë mbi dyshime që nuk bëhen të ditura në vendimin e Gjykatës së Kukësit. “Gjatë kontrollit në çantën personale të së pandehurës Fjolla Morina, është zbuluar një send i dyshuar si armë zjarri”, thekson Gjykata, ndërsa shton se në çantë ishin edhe tre fishekë, ndërsa 32 fishekë të tjerë u gjetën në mbajtësen e krahut të automjetit.
Ekspertiza e Policisë provoi se arma që iu bllokua këngëtares, e tipit “Zoraki M906-T”, ishte një pistoletë jo standarde “që përdor municion fishekë standardë luftarakë”. Tri ditë pas arrestimit në 22 shtator 2020, dy bashkudhëtaret e Morinës u lanë në burg nga gjykata për 30 ditë, por në fillim të tetorit u liruan me masë “Detyrim paraqitje”, pasi në dëshmi Morina mori përsipër pronësinë e armës dhe municionit. Ajo bëri edhe një kërkesë në Gjykatë për lirimin nga qelitë me pretendimin se ishte shtatzënë, kërkesë e cila u pranua nga Gjykata dhe u vendos në “Arrest shtëpie” në një banesë përpara Komisariatit të Policisë së Kukësit.
PËRPLASJA MIDIS GJYKATËS DHE PROKURORISË
Pas arrestimit të Morinës, një emër i njohur i shoëbizit shqiptar, prokurori Edmond Karriqi ngriti akuzën e “Armëmbajtjes pa leje ndaj saj”, për të cilën Kodi Penal parashikon 3 deri në 7 vjet burg. Por, gjykatësi i Kukësit, Florin Demollari, ndryshoi akuzën ndaj këngëtares, duke e akuzuar për “Trafik armësh dhe municionesh”, e cila parashikon dënim më të rëndë.
Në vendimin e Gjykatës së Kukësit, ndërsa i kthehet dosja prokurorit për “plotësim hetimi”, thuhet se akuza nuk ishte e formuluar qartë dhe se Morina u kap me armën në kufirin midis dy shtetesh, shkruan Panorama Plus.