U ARRESTUA PËR PROSTITUCION/ Lirohet nga qelia Zogu i Tiranës, Gjykata e “kyç” në shtëpi
Gjykata ka vendosur që të ndryshojë masën e arrestit për Hermes Nikaj, njohur si “Zogu i Tiranës” nga arrest me burg në arrest shtëpie, 6 muaj nga arrestimi.
Ky i fundit u lirua gjatë ditës së djeshme nga qelia, ndërsa akuzohet nga Prokuroria për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Prostitucion”.
Nikaj u vu në pranga disa muaj më parë, pas një hetimi disamujor ku u vunë në përgjim dhjetra persona dhe u zbardhën biseda ku duket se bëheshin marrëveshje për marrëdhënie seksuale.
“Zogu i Tiranes” u akuzua se ishte i përfshirë në një rrjet të gjerë prostitucioni, duke vënë në shfrytëzim vajza të reja dhe meshkuj, nga të cilët ai merrte përqindjen e tij për çdo marrëdhënie seksuale që ata kryenin.
Pjesë e rrjetit dyshohet të jetë edhe pronarja e një qendre estetike, Anjeza Bena, e cila në këtë fazë hetimore është në masë arresti shtëpiak. Përgjimet e publikuara në media kanë nxjerrë në dritë përfshirjen e një sërë personazhesh të njohur nga bota e showbizzit, punonjës policie etj.
Ndërsa Nikaj ka mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria.