Tv Klan siguron foton/ Hygerta Meta, provë në poligon nëse di të qëllojë. Të tjerët refuzojnë
Kjo foto ekskluzive e siguruar nga Tv Klan është shkëputur nga momenti kur 19-vjeçarja Hygerta Meta po kryen qitje me pistoletë në një poligon, si pjesë e një eksperimenti hetimor të policisë dhe Prokurorisë së Durrësit.
Grupi hetimor provoi kështu nëse vajza që akuzohet se vrau të atin, dinte të qëllonte me armë.
Hygerta shfaqet e qetë, ndërsa Tv Klan mëson se ajo kreu disa qitje radhazi, duke vërtetuar se ajo dinte ta përdorte armën.
Ky eksperiment iu kërkua edhe pjesës tjetër të familjes së Pëllumb Metës, 2 djemve të arrestuar dhe bashkëshortes së tij, por ata refuzuan të qëllojnë duke u thënë hetuesve se nuk dinë të përdorin armë dhe se nuk kanë provuar të bëjnë qitje ndonjëherë.
Refuzimi i ka thelluar dyshimet tek grupi hetimor se vrasjen e 50-vjeçarit mund ta ketë kryer njëri nga djemtë dhe se autorësia po kërkohet t’i lihet vajzës, me shpresën se ajo mund të dënohet më pak.
Dyshimet përforcohen nga ekspertiza e kryer me armën e krimit ku u gjetën gjurmë gishtërinjsh të djalit të vogël të familjes, Amarildos, në qesen që ishte mbeshtjellë ajo. Në armën e krimit rezulton se gjurmët ishin fshirë.
Prokuroria e Durrësit akuzon si autor të vrasjes djalin e madh të familjes, ndërsa Hygertën e Amarildon si bashkëpunëtorë të tij.
Tv Klan