Turjan Hyska rikthen Marina Vjollcën pas dy vitesh larg ekranit, detajet e projektit që bëri pjesë dhe Olsi Bylykun
Marina Vjollca do të rikthehet më në fund në ekran pas dy vitesh pauzë, kësaj here si moderatore e një spektakli humori që ka për autor Turjan Hyskën. Hera e saj e fundit në ekran ishte janari 2018, kur në skenën e spektaklit “C’est la vie”, u shpallën fituesit Kristi Karkanaqe dhe Lindi Islami. Më pas, asnjë projekt televiziv për Marinën në “Tv Klan”.
Edhe pse ajo shihej në ambientet e televizionit shpesh, gjithçka ngelej në nivelin e bisedimeve pa u konkretizuar në asnjë projekt final. Arsyet e përfolura të kësaj mungese ishin dy: e para vështirësitë e realizimit të projekteve të mëdha, dhe e dyta hezitimi i bashkëshortit të saj Getoar Selimi, i cili kundërshtonte projekte të caktuara për arsye të ndryshme.
Ndaj, me sa duket, rishfaqja në ekran e Marinës u shoqërua me lajmet se ky rikthim ka një kosto në jetën e saj, pasi ajo po rrezikon madje martesën. Por le të merremi me detajet e projektit televiziv që nga njëra anë e rikthen Marinën në ekran, dhe nga ana tjetër po i rriskon familjen e re që ka krijuar me reperin e famshëm nga Kosova, liderin e “Babastars”.
Përveç lajmeve se Marina do t’i rrëmbente kohën televizive të së shtunës Ermal Mamaqit, para dy ditësh ishte Turjan Hyska, ai që foli publikisht për programin e ri televiziv, që do të drejtohet nga Marina. Pasi kishte disa ditë që në media qarkullonte lajmi se në televizionin “Klan” do të nisë një emision i ri humori dhe se ky program do të ishte një format i ndryshuar i “Duplex”, Turjani e saktësoi këtë lajm.
Ai zbuloi edhe disa detaje lidhur me emisionin e ri të tij, pjesë e të cilit është Marina Vjollca. Në “Instastory”, ai publikoi disa shkrime ku konfirmonte se emisioni do të mbajë titullin “Klanifornia Show” dhe do të transmetohet çdo të shtunë në orën 21:00. “Imagjino një skuadër me Jul Dedën, Albano Bogdon, Visjan Ukcenaj, Olsi Bylyku, Eglein Laknori, Cubi Metkaj, Lisa Kujofsa, Eliona Pitarka, Andrea Vreto, sigurisht Marina Vjollca dhe… Është skuadra e ëndrrave. Është ‘Klanifonia’”, shkruante Turi.
Në të njëjtën kohë, ai ka konfirmuar edhe rikthimin e aktores, Lisa Kujofsa, e cila ka munguar prej kohësh në skenë që nga koha kur Turjani e bënte këtë program humori në “Vizion Plus”. E pas Turit, ishte një ndër aktorët kryesorë të formatit, Visjan Ukcenaj, i cili i uroi ardhjen Marina Vjollcës me fjalët më të bukura. Moderatorja do të drejtojë një emision, i cili përveç të ftuarve, do të ketë në qendër të tij edhe humorin së bashku me kastin e aktorëve të “Duplex”.
Visjani, i ka uruar mirëseardhjen ditën e sotme Vjollcës me anë të një fotoje të publikuar në “Instagram”. I njohur për rolet e spikatura të laçianit, minionit dhe hiphopistëve, ai shkruante në status: “Ngrini gishtat lart për Marinën dhe për ne. Më të mirët te më të mirët. Së shpejti në ‘Tv Klan’ ‘Klanifornia’”, postim që mori shumë pëlqime.
Do jetë spektakël shumë i madh, që i shtohet Olsi Bylyku dhe dy personazhe të tjerë, që për momentin nuk janë zbuluar. Për “Panorama Plus”, Visjani tha se “Formati nuk do të ketë improvizime, do të jetë program shumë i madh krahasuar me ‘Duplex’, do të ketë karaktere, do të mbizotërojnë aktualiteti, politika, pra, do të jetë një program ndryshe nga ai që ka qenë më parë”.
Pak kohë më parë, u fol se emisioni i ri i Marina Vjollcës do të kishte për protagonistë edhe bashkëshortin Getoar Selimi dhe Flori Mumajesin, një format për “Klan Kosova”. Por më pas ishte moderatori Alaudin Hamiti që mori përsipër autorësinë e programit me titull “E ke yllin”. Shumë kolegë të saj e konsideruan një lëvizje të gabuar të saj, duke qenë se la punën si bashkëdrejtuese prej 10 vitesh e “Procesi Sportiv” me Edi Manushin dhe humbi stabilitetin në punë.
Për këtë arsye, Marina që pas mbylljes së spektaklit “C’est la vie”, iu dedikua një jete të qetë, larg preokupimeve dhe lodhjes. Në postimet e saj, ajo bënte autoironi, duke e konsideruar veten “shtëpiake e dëshpëruar”. Pas martesës me reperin e njohur Getoar Selimi, të gjithë presin një fëmijë nga çifti i njohur i showbiz-it, duke qenë se hapat që ata hodhën në marrëdhënien e tyre, ishin të një çifti tradicional, me fejesë e më pas martesë.
PANORAMA PLUS