Turjan Hyska e bën spektaklin si “Portokalli”, Salsano Rrapi nis sulmin kundër ish-kolegëve, Jul Dedës e Delinda Dishës

Shumë shpejt në televizionin “Klan” pritet të nisë spektakli më i ri i humorit, që mban titullin “Klanifornia”. Skenaristi Turjan Hyska ka zbuluar përveç detajeve, edhe emra të kastit të larmishëm, mes të cilëve emrat më të dëgjuar të skenës shqiptare.

Që në fillim të shtatorit u zbulua se moderatore do të ishte Marina Vjollca dhe skenarist Turjan Hyska, ndërkohë që me mënyrën si është ndërtuar, shohim që tashmë në show-n e ri, shumë pak elemente do të kenë mbetur nga “Apartamenti 2xl”, pasi më shumë sesa ai format, duket se do të ketë ngjashmëri me spektaklin e humorit në “Top Channel”, “Portokalli”.

Turi-2

Pjesë e showt do jenë gjithashtu edhe Delinda Disha, Albano Bogdo, Julian Deda, Visian Ukcenaj, Eliona Pitarka, Esmeralda Metka dhe Olsi Bylyku, disa prej të cilëve ish-aktorë të spektaklit të njohur, që me largimin e Agron Llakajt moderohet nga Salsano Rrapi, me partnere Xhemi Shehun.

E duket se fakti që “Klanifornia” po i ngjason “Portokallisë”, edhe për faktin se shumë aktorë tashmë do t’i shohim në “Klan Tv”, ka ngacmuar Salsano Rrapin, i cili si rrallëherë ka komentuar largimet dhe marrëdhëniet personale me ish-kolegët. Moderatori i njohur i “Portokallisë” ishte i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” disa ditë më parë, ku si kurrë më parë ai foli për marrëdhënien e tij me kolegët dhe është ndalur më tepër tek aktorët që janë larguar nga spektakli.

Turi-3

I pyetur nga prezantuesit, Salsano ka treguar një sekret që e mbante prej vitesh. Aktori ka treguar se personi i vetëm i larguar nga “Portokallia”, me të cilin nuk flet, është Julian Deda. Ai tregoi se mes tyre nuk ka pasur asnjë konflikt, por thjesht ashtu u erdhën gjërat. “Me të gjithë të larguarit nga ‘Portokallia’ shkoj shumë mirë, pavarësisht se na ka ndarë koha, puna. Me të vetmin person që nuk komunikoj është Jul Deda. Nuk kam pasur ndonjë konflikt, por thjesht nuk flas, ose atij i duket meqë ka ikur e nuk do t’i flasë asnjërit. Madje, ‘Hekri’ është një nga personat që ka qenë me SHBLSH-at, me Jul Dedën. Ky program është si në futboll. Nëse të paguan dikush më shumë, ikën”, është shprehur Salsano Rrapi.

Turi-4

Po përveç Jul Dedës, ai komentoi dhe largimin e Delinda Dishës. Sipas Salsanos, Delinda ishte larguar nga programi në “mënyrë të fshehtë”. Pas këtij komenti të kolegut të saj, aktorja ka vendosur që të reagojë nëpërmjet një postimi në “Instastory”. Delinda ka zbuluar arsyen se pse është larguar nga “Top Channel”.

Ajo sqaroi se i ka mbaruar kontrata dhe nuk ka dashur ta rinovojë. Madje, Disha ka ironizuar Salsanon, duke thënë se është barrë e rëndë të bësh zëdhënësin e ‘Top-it’. “I dashur Salsano! Për jetën tënde e paske problem të prononcohesh, ndërsa për timen ose artistëve të tjerë e paske shumë të lehtë të thuash iku fshehurazi. Unë iki dhe vij sa herë ta shoh të arsyeshme. Më kishte mbaruar kontrata dhe nuk doja ta rinovoja më. Por është barrë e rëndë të bësh zëdhënësin e ‘Top-it’. Për sqarim”, shkruan Disha.

Ndërkohë që më vonë u zbulua se Delinda kishte shkuar në “Klan” edhe për çështje personale, pasi pjesë e stafit është dhe bashkëshorti i saj, Eldo Disha, i cili ka realizuar skenografinë. Dje u publikua promoja e emisionit ku duken të gjithë aktorët, duke mbërritur me makina dhe gazetarë rreth tyre.


“S’keni parë gjë akoma”, shprehej Turjan Hyska në promon e emisionit, duke na lënë të kuptojmë se do të jetë një sukses i vërtetë, ku në qendër shfaqej Marina Vjollca. Ndërkohë që spektakli tjetër “Portokalli” ende nuk e ka zbuluar stafin e plotë, përveç aktorëve kryesorë dhe moderatorëve, Salsano Rrapi dhe Xhemi Shehut.

PANORAMA PLUS