“T’u bëftë shpirti dritë o babush”, me fjalët prekëse vajza e Rikard Ljarjas përlot rrjetin: E përcollëm me ditë të vështira, por…

Vajza e aktorit dhe regjisorit të ndjerë, Rikard Ljarja ka ndarë një dedikim prekës, pas ndarjes nga jeta të të atit.

Ditën e djeshme iu dha lamtumira e fundit, aktorit dhe regjisorit të mirënjohur të skenës shqiptare, Rikard Ljarja.

Në kushte të pazakonta, me pandeminë e koronavirusit që ka gjunjëzuar botën mbarë, ceremonia mortore nuk është realizuar siç duhej, por vajza e tij ka treguar se do të organizojnë diçka për ta kujtuar, sapo të mbarojë e gjithë kjo situatë.

Në një dedikim prekës, që ka përlotur rrjetin, Lorena Ljarja, vajza e aktorit të ndjerë, ka shkruar për dhimbjen e përjetuar, pas largimit nga jetë të të atit.

Me fjalët e ndjera të një bije, Lorena shkruan se gjithçka do të jetë ndryshe për ata në vazhdim dhe se ka qenë një ditë shumë e dhimbshme, ndarja nga jeta babait. Ajo shprehet se thjeshtësia e ka karakterizuar gjithmonë aktorin e madh të skenës shqiptare, dhe e tillë i erdhi dhe lamtumira e tij.

Postimi i plotë:

“Sot ka qenë një ditë shumë e dhimbshme për mua dhe familjen time…. jo vetëm sot, por që sot gjithçka do jetë ndryshe për ne. Asnjëherë nuk je gati t’i thuash lamtumirë prindit, por unë thjesht do zgjedh t’i them sot babit mirë u pafshim.

Nuk jam shumë e mirë me fjalë, po sot të gjithë ju miqtë e tij dhe tanët na keni mbushur, plotësuar me ngushellimet dhe gjithçka që keni ndarë për babin tim. Ju falenderoj sinqerisht nga zemra për çdo gjë dhe çdo respekt qe i keni dhënë babait tim.

E kemi percjellë me ditë të veshtira, por thjeshtësia ishte ajo që ai gjithmonë ka dashur.

Sapo të kthehet pak normalitet në jetet tona, familja jonë do organizojë diçka për ta kujtuar të gjithë bashkë. U prefsh në paqe dhe t’u bëftë shpirti dritë o babush,”– shkruan në profilin e saj në Facebook, vajza e aktorit të ndjerë, Lorena Ljarja.

Rikard Ljarja u nda nga jeta dy ditë më parë, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

R.L/Dosja.al