
Trupi i Papa Françeskut do të shfaqet në një arkivol të hapur për nderim publik brenda Bazilikës së Shën Pjetrit, varrimi të shtunën
Kisha Katolike hyri sot në ciklin e ndërlikuar të trashëgimisë papale pas vdekjes së Françeskut në moshën 88-vjeçare, pas problemeve të rënda me të cilat ishte përballur vitet e fundit, të cilat ishin përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i vitit.
Jorge Mario Bergoglio vdiq rreth orës 7:30 të mëngjesit të së hënës nga një goditje në tru dhe dështim në zemër – pak para se të vdiste ai kishte rënë në koma. Në shkurt, ai u shtrua në spital për më shumë se një muaj me probleme të frymëmarrjes dhe pneumoni të dyfishtë.
Për vite me radhë, ai kishte probleme serioze me gjurin dhe nganjëherë lëvizte vetëm me karrocë. Ai jetonte në një dhomë të thjeshtë në një bujtinë.
Duke filluar nga e mërkura, trupi i tij do të ekspozohet në një arkivol të hapur për nderim publik dhe varrimi do të bëhet gjatë fundjavës. Prej kohësh ishte kujdesur që ceremonia të ishte më e thjeshtë se ç’kërkonte protokolli, ndërsa në testamentin e tij, të cilin e kishte hartuar në vitin 2022, kërkonte të varrosej në një kishë me të cilën kishte lidhje shpirtërore , në një varr të thjeshtë në tokë, jo në një kriptë.
Menjëherë më pas do të nisë procesi i gjatë i zgjedhjes së Papës së ri, i cili ka gjasa të zgjasë shumë ditë. Dhe në këtë fazë, Françesku kishte vënë vulën e tij, duke caktuar që zgjedhjet të mbaheshin midis kardinalëve që janë më së shumti 80 vjeç.
Ajo që vunë në dukje shumë udhëheqës të huaj, si dhe njerëz të thjeshtë që patën mundësinë të takonin Françeskun gjatë papatit të tij 12-vjeçar , është se ai ishte një njeri me një stigmë të qartë ideologjike . Por a do të ndjekë të njëjtën rrugë pasardhësi i tij apo do të shohim një rrugë tjetër?
voxnews.al