Tronditet Partizani, FIFA i bllokon merkaton

Në momentin më të vështirë të sezonit, mbase në momentin më të vështirë në vitet e fundit, Partizani merr një tjetër goditje të rëndë. Pikërisht atëherë kur në shtëpinë e kuqe po përgatitshin për një revolucion, “Panorama Sport” mëson se kryeqytetasit e kanë të ndalur të futen në merkato për dy sesionet e ardhshme. Shkak për këtë është bërë gjyqi i fituar në FIFA nga klubi kroat Istra 1961 në lidhje me transferimin e sulmuesit Eraldo Çinari në verën e 2018-ës.

Është hera e parë që del në skenë kjo çështje, pasi Partizani e ka blerë kartonin e lojtarit nga Vllaznia, e cila bllokoi fillimisht kalimin e Çinarit te spanjollët e Alaveshit, që më pas e huazoi lojtarin në Kroaci tek Istra.

E gjithë kjo situatë mund t’i kushtojë shtrenjtë Partizanit, duke kushtëzuar gjithë sezonin 2020-2021. Nga kjo lëvizje, gjithnjë sipas gazetës më të madhe sportive në vend, e ka pësuar edhe vetë Çinari i cili e ka të ndalur të aktivizohet për katër muajt e ardhshëm.

Pavarësisht këtij dënimi të rëndë, drejtuesit e Partizanit nuk ka ndërmend të dorëzohen përballë këtij vendimi pasi të kontaktuar nga “BalkanWeb” kanë konfirmuar se këtë çështje do ta dërgojnë në CAS, të bindur se në transferimin e Çinarin nuk kanë kryer asnjë parregullsi.
(BalkanWeb)