Tritan Kalo: Partia Socialiste e mavijosur nga ethet e parave të korrupsionit
Mjeku i njohur Tritan Kalo ka bërë një tjetër deklaratë të ashpër në drejtim të Partisë Socialiste, që sipas tij pas ardhjes në pushtet është mbrojtëse e interesave të pasunarëve, dhe është mavijosur nga ethet e parave të korrupsionit.
“PS e pas Qershorit 2013 është një parti mbrojtëse e interesave të pasunarëve, e “MAVIJOSUR” nga ethet e parave të korrupsionit”, shkruan Kalo në rrjetet sociale.
Gjatë diskutimeve me ndjekësit në “Facebook”, mjeku i njohur thotë se kishte “ shumë-shumë pak shpresë për ndonjë reflektim të Rilindjes në zgjedhjet e ardhshme Parla-Pa-Mentare të 25 prillit, por paskam qenë i gabuar”.
Ndërsa dikush e pyet se çfarë duhet bërë pasi të gjithë janë të korruptuar, Kalo ia kthen duke i thënë se “të mos vijojmë t’u shkojmë prapa e të mos grindemi mes nesh të verbuar nga militantizmi”.
Sjellim në vëmendje që në 4 mars Tritan Kalo njoftoi largimin e tij nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë Covid-19. Në deklaratat e tij të mëhershme Kalo është shprehur se politika ia ka dalë që të përçajë mjekët.