Tristan pranon se është bërë sërish baba dhe i kërkon publikisht falje Khloé-t

Tristan Thompson konfirmoi se ai është bërë baba i një djali me Maralee Nichols përmes Instagramit dhe i kërkoi publikisht ndjesë Khloé Kardashian.

“Sot, rezultatet e testit të atësisë zbuluan se unë kam një fëmijë me Maralee Nichols,” shkroi ylli i NBA, 30 vjeç. “Unë marr përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia. Tani që atësia është konfirmuar, pres me padurim ta rrisim miqësisht djalin tonë.”

Ai vazhdoi, “i kërkoj sinqerisht falje kujtdo që kam lënduar apo zhgënjyer gjatë gjithë kësaj sprove, si privatisht ashtu edhe publikisht.” Tristan pranoi se raporti i tij me Maralee Nichols lëndoi Khloé Kardashian, me të cilën ai ishte ende në lidhje kur u ngjiz i porsalinduri.

“Khloé, ti nuk e meriton. Nuk e meriton dhimbjen dhe poshtërimin që të kam shkaktuar. Ti nuk e meriton mënyrën se si të kam trajtuar gjatë viteve,” shkroi ai.

Tristan tha gjithashtu se veprimet e tij nuk përcaktojnë mënyrën si e sheh ai Khloé-n. “Kam respekt dhe dashuri maksimale për ty. Pavarësisht se çfarë mund të mendosh. Sërish, kërkoj shumë falje.”

Konfirmimi i atësisë vjen pas një beteje ligjore me Nichols, modele fitnesi. Ajo pretendoi në një padi atësinë dhe u shpreh se ajo dhe Thompson kishin marrëdhënie seksuale gjatë fundjavës së 30-vjetorit të tij në mars, gjë që rezultoi në shtatzëni. Thompson pranoi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Nichols, por mohoi të ishte babai i foshnjës, të cilin ajo e solli në jetë më 1 dhjetor.

Thompson kërkoi vazhdimisht që fëmija i Nichols t’i nënshtrohej një testi të ADN-së për të vërtetuar atësinë.

Sipas Page Six, Khloé u nda nga Tristan në qershor, pas akuzave se ai kishte fjetur me modelen Sydney Chase. Asokohe, raporti me Nichols nuk ishte bërë publike.

Thompson e ka tradhtuar Khloé-n në vitin 2018, teksa ajo ishte shtatzënë me vajzën e tyre tani 3-vjeçare, True, dhe përsëri në vitin 2019 me shoqen e ngushtë asokohe të Kylie Jenner, Jordyn Woods.

Përveç fëmijëve me Nichols dhe Kardashian, lojtari i Sacramento Kings është edhe baba i djalit Prince, 5 vjeç, të cilin e ka me ish-të dashurën Jordan Craig.