Tri gratë e Blendi Fevziut dhe borxhi i shlyer me “Tirana e Nonës”

Blendi Fevziu, prezantoi në “Wake Up” për herë të parë librin e tij të fundit me titull: “Tirona e Nonës”, që prej kohësh ka zgjuar kuriozitet tek lexuesi. Librin ka nisur ta shkruajë në udhëtim e sipër, sapo avioni është ngjitur në fluturimin e radhës dhe e ka vijuar më pas për rreth dy muaj ku të mundej, në zyrë, shtëpi, hotel, avion, në tren, në plazh…etj. Pra, duket si një libër i bërë me një frymë, ose e thënë ndryshe pa një shkëputje të gjatë në kohë.

Sikurse e thotë edhe vetë ai ky libër nuk është një roman, as një libër për kujtimet e fëmijërisë por më konkretisht është shkruar për tre njerëz të rëndësishëm që shënjuan fëmijërinë e tij. Bëhet fjalë për tre plaka siҫ i quan ai, të cilat investuan gjithҫka që dinin dhe kishin në formimin e një fëmije. Ato ishin stërgjyshja e tij, Nigjari ose Nona siҫ ai e quan në libër. E dyta ishte motra e stërgjyshes, Ganimeti ose teta Meti siҫ i thërriste ai. E treta ishte Sybija ose shkurt Bibia e cila do të ishte si një nënë më shumë për mamanë e Fevziut.

Ai nuk mund të harrojë, rrëfimet e tyre të mrekullueshme për qytetin, pushtetin, fuqinë, dështimin, modestinë dhe zvetënimin. Po ashtu libri tregon edhe për transformimin e Tiranës së dikurshme dhe për këtë arsye autorit i është dashur që të hulumtojë në dokumente, fotografi, shënime apo letra të vjetruara. Që në hyrje të këtij libri, Fevziu thekson se ia dedikon atë dy vajzave të tij Alis dhe Mishel, me bindjen se një ditë ato do të jenë kuriozë për rrënjët e tyre dhe të kaluarën e këtij qyteti ku po jetojnë./Top Channel