Trefishohen çmimet e pronave dhe banesave, tregu imobiliar qarkullon 1.3 miliard Euro
Ndërtimi dhe tregu imobiliar në vend është shtylla e ekonomisë, mbi të cilën mbështeten pjesa më e madhe e sektorëve të tjerë. Nëse bëjmë një krahasim mes vitit 2003 dhe sot, do të vërejmë se niveli i pagave, aftësia blerëse dhe kosto e jetesës ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Ky fenomen financiar është reflektuar edhe në çmimet e banesave dhe pronave duke u trefishuar. Analiza që bëhet sot, është e lidhur me influencën që ky treg ka, si e ndikon ai ekonominë vendase e sa i rëndësishëm është realisht ky qarkullim. Nën një vështrim sipërfaqësor, ndërtuesit, arkitektët, inxhinierët, trashëgimtarët e pronave konsiderohen si njerëzit më të pasur, por realisht kapitali i tyre “i ngurtë” mbetet ende i vështirë për t’u përllogaritur, sepse institucionet kadastrale, edhe pse janë ndër më të saktat që ka vendi ynë, ofrojnë shumë pak informacion të përpunuar statistikor. Për të analizuar tregun shqiptar, kompania CENTURY21 Albania, pjesë e rrjetit më të madh Real Estate në botë, përdor formulat tradicionale në nivel kombëtar, të cilat nxjerrin me një saktësi +/-10% indikatorë shumë të rëndësishëm dhe mjaft interesantë të papublikuar më parë. Sipas metodave tradicionale të llogaritjes, tregu shqiptar i pronave ka një mesatare prej 18,000-19,000 shitblerje në vit. Vetëm rrethi i Tiranës kap shifrën 12,000 brenda 1 viti, në dukje një numër i madh, por duhet konsideruar këtu me saktësi rritja e popullsisë vjetore pjesëtim për 2.Kompania CENTURY21 përdor sisteme kompjuterike të sofistikuara për të nxjerrë me saktësi, bazuar në shitje dhe blerje reale, çmimet mesatare të një prone në Tiranë në tre vitet e fundit me një vlerë 82,000€ dhe mesataren e pronave jashtë Tirane me vlerë 48,000€. E llogaritur në këtë mënyrë, vlera totale e qarkullimit të industrisë shkon në 1.3 miliard Euro në vit, duke e bërë industrinë imobiliare dhe sektorët e ndërtimit dhe ndërmjetësimit të pronave mjaft të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Sipas parashikimeve të ekspertëve të CENTURY21, ekonomia shqiptare, vlerat e pronave dhe numri i shitjeve të tyre në vit, janë të destinuara të rriten për shkak të shumë faktorëve. Si pasojë në 10 vitet e ardhshme, tregu mund të arrijë vlerën 2 miliard Euro në vit. /Monitor/