Tragjedia në Tiranë/ Dëshmitarët e Jehovait reagojnë pas ngjarjes horror, çfarë thonë për familjen e 56-vjeçares
Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri e mohojnë në mënyre kategorike që Zhaneta Josifi dhe dy vajzat e saj të kenë qenë pjesë e organizatës së tyre.
Në një reagim për mediat, kjo organizatë thekson se besimi i tyre nuk e pranon vetëvrasjen dhe se kanë pikëpamjen e Zotit për jetën duke e çmuar si gjënë më të shtrenjtë.
“Në të njëjtën kohë, është tejet shqetësuese informacioni i përhapur se pjesëtarët e kësaj familjeje i përkisnin Organizatës Dëshmitarët e Jehovait. Po informojmë mediat dhe opinionin e gjerë që po ndjek zhvillimin e këtyre ngjarjeve, se pjesëtarët e familjes Josifi jo vetëm që nuk kanë qenë pjesëtarë të organizatës tonë, por as nuk janë shoqëruar ndonjëherë me Dëshmitarët e Jehovait. Përpjekjet për ta lidhur këtë ngjarje, apo çdo element tjetër të saj me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait është krejtësisht e pabazë, madje fyese për besimin tonë. Dëshmitarët e Jehovait kanë pikëpamjen e Zotit për jetën dhe e çmojnë atë si gjënë më të shtrenjtë. Vetëvrasje me pretendimin për të shkuar në një jetë më të mirë, nuk përputhet në asnjë mënyrë me besimine Dëshmitarëve të Jehovait”, thuhet në reagimin e organizatës.