Tragjedia me 14 viktima në Itali/ Hetimet zbulojnë shkaqet e para mbi shkëputjen e kabinës së teleferikut, në gjendje kritike fëmija 5-vjeçar (DETAJE)
Një ditë pas tragjedisë me 14 të vdekur në Itali, pas shkëputjes së kabinës së një teleferiku, kanë nisur hetimet për të kuptuar shkaqet e ngjarjes.
Nga analizat e para të kryera mbi strukturën duket qartë se është këputur një nga dy kavot që mbanin kabinën e teleferikut.
Po ashtu mësohet se nuk ka funksionuar edhe frena e emergjencës. Pritet që hetimi i Prokurorisë të përcaktoi shkakun përse nuk funksioni frena e emergjencës.
Impianti ishte kontrolluar në nëntor të 2020-ës dhe, deri atëherë, gjithçka dukej në rregull.
Ndërkohë, një “tryezë teknike” do të organizohet paraditen e sotme ku drejtuesit lokal do të diskutojnë në lidhje me ngjarjen e rëndë. Agjencia e lajmeve “Ansa” raporton se vijon të jetë kritike gjendja e fëmijës 5-vjeçar, i mbijetuari i vetëm i incidentit të rëndë.
Dje në mbrëmje numri i viktimave arriti në 14, pasi ndërroi jetë fëmija 9-vjeçar.I mituri kishte pësuar fraktura të rënda në trup dhe ishte dërguar me helikopter në spitalin Regina Margherita. Mësohet se në kabinën e teleferikut ndodheshin 15 persona.
Kabina e teleferikut i shkëput papritur duke u rrëzuar mesditën e djeshme rreth orës 13:00. Teleferiku ndodhej në një lartësi 1491 metra. Shëtitja me teleferik po kryhej në një nga zonat më të populluara për turistët ku i gjithë udhëtimi zgjat 20 minuta.Teleferiku Stresa Mottarone merr turistë dhe vendas nga qyteti i famshëm i Stresa, në liqenin Maggiore, me gati 1500 metra mbi nivelin e detit deri në majën e malit Mottarone.
“Aksident i rëndë në teleferikun Stresa- Mottarone. Shpëtimi alpin, dhe ekipet e tjera të shpëtimit në vend. Dy ambulanca me helikopter ndërhynë”, tha dje Shërbimi Kombëtar i Shpëtimit alpin në Twitter.
Kabina u shemb në një zonë të pyllëzuar dhe të papërshkueshme, ku operacionet e shpëtimit nuk janë të lehta, në një nga pikat më të larta të impiantit. Sipas dëshmitarëve: “Kabina nisi të lëvizte shumë shpejt dhe më pas ajo ra”.