Top Awards: Mr Elvis, me një “diss” për të gjithë kolegët e tij
Mr Elvis është një ndër të paktët artistë që i ka qëndruar besnikë rrymës së tij muzikore, pra “old school”, duke mos bërë muzikë komerciale.
Pas shumë kohësh mungesë në treg, reperi është rikthyer me një projekt “solo”, i cili për hir të së vërtetës është një “diss” për të gjithë kolegët e tij. “Soj e Sorollop” mban titullin kjo këngë, e cila është futur menjëherë në klasifikimin e “Top Awards”, duke u pozicionuar në vendin e 18-të.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Wake Up” në Top Channel, artisti ka treguar se shumica e këngëtarëve të muzikës “rap” nuk përcjellin ndonjë mesazh në këngët e tyre por më shumë promovojnë makinat, jetën e luksit apo femra e zhveshura.
Ai ka shtuar gjithashtu se ideja për titullin e kësaj kënge, ka lindur krejt rastësisht, kur një miku i tij u shpreh se artisti duhej të rikthehej në muzikë pasi aktualisht po bën muzikë soj e sorollop.
Mr Elvis, i cili ka qënë një ndër reperët më të suksesshëm të viteve 2000, është shprehur se muzikën e bën për pasion sepse po ta shihte si punë, do bënte edhe ai muzikë komerciale.
Duket se artisti do vazhdojë të përcjellë mesazhe të rëndësishme me muzikën e tij dhe këtë gjë e ka premtuar në intervistën e tij.