Tjetër skandal tek Senatoriumi, vajza: “Babai 70 vjeç vdiq nga Covid, zhduket aparati i frymëmarrjes së tij”

Një tjetër skandal ka ndodhur në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku një viktime 70 vjeçar i kanë vjedhur një pajisje oksigjeni me vlerë 5 mijë euro.

Ferit Kasa humbi jetën në 1 shtator 2020, por gjatë kohës që ishte shtruar, personeli mjekësor i ka kërkuar familjarëve që t’i sigurojnë një pajisje për frymëmarrjen, me këta të fundit që e morën me qira për 150 euro në muaj dhe e çuan te Senatoriumi.

Por pasi 70 vjeçari ndërroi jetë, pajisja u zhduk. Në procesverbalin e dalë nga spitali për në morg, pajisja ishte e shënuar, ndërkohë që duket se pajisja ka humbur në morg. Edhe morgu nxjerr një procesverbal me sendet personale të viktimës, por në të nuk shënohet aparati i frymëmarrjes.

“Nga dokumentacioni i listuar në procesverbal janë të listuara të gjitha sendet që im atë kishte me vete, por kur u tërhoq trupi i të ndjerit, mungonte aparatura e frymëmarrjes e tipit B-PAP, që nuk ishte e shënuar as në procesverbal. Vlera e saj në treg është 4-5 mijë euro. Ishte te sendet personale që im atë kishte me vete, madje shkruhet edhe se cili është personi pritës në morg. Kjo zonjë nuk mbajti përgjegjësi se pse aparati i oksigjenit nuk ishte shënuar në procesverbal”, tregon vajza e të ndjerit.

Pasi vajza e viktimës, Silvana iu drejtua emisionit Fiks Fare, këta të fundit kontaktuan me shefin e Morgut, i cili u shpreh se pajisja u fut në arkivol, ndërkohë që pasi shikon procesverbalin ndryshon qëndrim, duke thënë se nuk e ka idenë se ku mund të ketë shkuar pajisja.

Pasi emisioni kontakton me agjencinë funerale, edhe këta të fundit mohojnë ta kenë parë pajisjen, pasi ajo është shumë e madhe dhe nuk kanë patur vend ku ta fusin në arkivol. Vajza e të ndjerit ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, por dosja ka më shumë se 4 muaj në prokurori dhe ende nuk ka një zgjidhje.