Tjetër konflikt mes bizneseve? Pas ngjarjes në Velipojë, digjen 60 shezlongë në Drimadhë

Sikur mos të mjaftonte pandemia, turizmi në vendin tonë ka marrë këto ditë goditjet më të forta nga ngjarjet që kanë tronditur gjithë vendin. Pas masakrës së Velipojës, ku mbetën të vrarë 4 persona, një tjetër përplasje për shfrytëzimin e vijës bregdetare është shënuar mbrëmjen e djeshme në Drimadhë. Rreth orës 01:00 janë djegur 60 shezlongë të një biznesi të vogël që operonte në atë plazh, në emër të Bilbil Domit, i cili sapo kishte marrë leje për shfrytëzimin e plazhit.

Raportohet se djegia ka qenë e qëllimshme dhe shkak është bërë një konflikt i mëparshëm midis bizneseve për shfrytëzimin e vijës bregdetare. Sipas Dosja.al, në zonë janë dëgjuar edhe të shtëna armësh që janë lëshuar në një formë paralajmërimi. 55-vjeçari mësohet se ka deklaruar në polici se nuk mund t’i vërë gishtin askujt, por ka pasur pakënaqësi nga bizneset përreth për lejen e marrë. Ndërkohë që ende nuk ka të shoqëruar nga Policia lidhur me ngjarjen.

/News31