Tiziano Ferro rrëfen ndarjen e dhimbshme nga ish-bashkëshorti

Tiziano Ferro ka surprizuar njerëzit me postimin e tij në Instagram, ku tregon se është divorcuar nga ish-bashkëshorti, Victor Allen, pas 4 vitesh martesë.

“Fansat e mi të dashur!
Gjithnjë kam ëndërruar të shkruaja një libër dhe kur ëndrra ime u realizua, isha shumë i emocionuar që t’ju takoja dhe t’jua jepja personalisht këtë libër. Por, për arsye që do t’jua shpjegoj, me trishtim të thellë dhe zemër të rënduar, duhet ta anuloj turneun e librit”, e nisi shkrimin e tij Tiziano, referuar librit “La felicita al principi”.

“Gjatë vitit të shkuar, jam përballur me ndarjen e dhimbshme nga (ish) bashkëshorti im, Victor, në dhimbje dhe izolim. Kohët e fundit kam nisur procedurat e divorcit në Los Angeles dhe rrethanat janë të tilla, që nuk më lejojnë të largohem nga shteti me fëmijët e mi të vegjël, të cilët nuk mund t’i lë në Kaliforni, sepse kanë nevojë për kujdesin tim”.

Më tej, vijoi:

“Ju keni qenë aq të rëndësishëm për mua, sa edhe me probleme të kordave të zërit, edhe kundër rekomandimeve të mjekut, sërish nuk e anulova turneun e verës së kaluar. Megjithatë, tani, kjo lidhet me fëmijët e mi dhe për mua, s’ka gjë më të rëndësishme”.

“Ju dua shumë të gjithëve dhe më thyhet zemra teksa ju zhgënjej, por në këtë periudhë, duhet të përqendrohem tek interesat më të mira për fëmijët e mi. Ju keni një domethënie të madhe për mua dhe për këtë arsye, po hap zemrën dhe po ju tregoj shpirtin, siç kam bërë gjithnjë. Uroj të më kuptoni dhe të vijoni të më mbështesni ndërsa kaloj këtë periudhë të vështirë në jetën time.

Ju dua dhe mezi pres t’ju takoj së shpejti”, përmbylli ai deklaratën e shkruar në italisht dhe anglisht.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tiziano Ferro (@tizianoferro)


Tiziano dhe Victor u martuan në vitin 2019 në një dasmë private në Sabaudia. Ata janë prindër të dy fëmijëve, Margherita dhe Andres.

Anabelmagazine