Tirana kualifikohet në turin e dytë të Conference League, arritje për Lushkjen dhe Deliun
Tirana kualifikohet për në turin e dytë të Conference League, pasi mposhti 1-2 Dinamon e Batumit në Batumis Dinamos Satsvrtneli Baza Stadium (1-1 ndeshja e parë).
Në minutat e para ka mbizotëruar qetësia, me të dy skuadrat që preferuan të qëndrojnë në prapavijë. Episodi më i rëndësishëm i pjesës së parë erdhi në minutë ne 28-të, kur bardheblutë kaluan në avantazh pas një të djathte në zonë të Regi Lushkjas.
Bardheblutë tentuan të mbyllnin llogaritë që në minutën e 45-të me Hasanin, por goditja fantastike e tij gjen përgjigjen e portierit Anton Chichkan.
Vendasit nga Gjeorgjia zgjohen në pjesën e dytë dhe i shkojnë shumë afër barazimit, vetëm shtylla ndali Zaria-n (65’). Georgiy Tsitaishvili vendosi në provë portierin Selmani, me këtë të fundit që tregoi reflekset e tij.
Ekipi i drejtuar nga Orges Shehi realizoi golin e qetësisë me Deliun, në minutën e 79-të, duke ndezur kështu festën te Tirana. Tornike Kapanadze ngushtoi shifrat në limite, por nuk kishte më kohë, pasi fati i takimit ishte vendosur tashmë.