Tirana kthehet të shohë nga Europa: lojtarë, formë e modul, ja sekretet e Shehit
Tirana u imponua në një fushë të vështirë, kundër një kundërshtari kryesues, ashtu si pati bërë edhe në Loro Borici me Vllazninë, në atë kohë e para. Nuk është kurba perfekte e rezultateve në total, por është tregues duke parë lojtarët që Orges Shehi kishte zbritur në fushën e Lacit, për ti zbritur nga vendi i parë historik, vetëm një javë pasi e kishin marrë.
Në këtë arritje të Tiranës, nuk hyn rastësia, por një mozaik situatash nga forma e rigjetur e disa senatorëve, të rikthimet e lojtarëve nga dëmtimet e deri tek moduli i preferuar i teknikut, që jo gjithnjë ka patur luksin të vendosë më të mirët e tij në fushë. 3-5-2 i bardhebluve kishte të re pozicionin e Halilit, sulmuesi i shtuar në fazën offensive, pa llogaritur funksionin lart të Ismailgecit, një i aftë me topin e goditjet, nga këmbët e të cilit erdhi edhe goli i dytë. Stabilitetin sigurisht e dha kthimi i Najdovskit në zemër të mbrojtjes, minutat e marra për një ekspert si Vangjeli, dalja në rolin e tij natyror të Tosevskit, intensiteti i fituar pas dëmtimit nga Celhaka dhe Torassa si mbështetja parësore për një Seferi gjithnjë në qendër të aksioneve.
Llogaria është e thjeshtë, me skuadrën të kompletuar e me lojtarët në formë, Shehi mund ti japë jetë një mekanizmi loje të aftë të fitojë në Lac. E thënë kjo, sa për ti dhënë edhe të tjerëve të kuptojnë se 7 pikë diferencë nga kreu në 33 të mundshme i japin të drejtën Tiranës, kësaj Tirane të besojë madje përtej zonës Europiane…