Tirana, kampionat i fituar me tra faza: probabiliteti e nxjerr… kampion
Nëse nuk është akoma 26, shumë pak e ndan Tiranen nga titulli. Një tjetër javë krejtësisht e Tiranës, me ndjekësit që pengohen, në kohën kur bardheblutë bën një goditje në Loro Boricit, që është shumë më tepër se një fitore prej tre pikësh. Klasikja e rrëmbyer me përmbysje ishte konfirmimi i një supremacie të ndërtuar mbi të gjitha në fazën e tretë, ku skuadra e Shehit bëri diferencën dhe e bëri me të gjithë. Kështu, kryeqytetasit shkojnë drejt kompletimit të një faze të tërë lojë pothuaj perfekte, me vetëm rrëshqitjen e Kastriotit dhe barazimin në derbi me Partizanin, të tjerat janë vetëm fitore.
Një sprint i pandalshëm, i denjë për emrat më të mëdhenj të atletikës, duke lënë jo vetëm pas në harresë atë Lacin që guxoi ti shkonte në mendje se mund ti sfidonte, por duke dërrmuar keq cdo kundërshtar, ata direktë akoma më shumë. 4 golat në portën e Kukësit e Lacit, jo rastësisht numrat 2 e 3 në renditje, janë mënyra se si Tirana vrau kampionatin, duke dashur të marrë gjithcka përvec Kupës. Me gjithcka nënkuptohen statistikat e vlerësimet, si sulmi më i mirë me 47 gola tetë më shumë se ndjekësi më i afërt, mbrojtja që ka lejuar më pak gola, 17, katër më pak se pretendenti më i fortë e natyrisht konstatimit se është dukshëm skuadra më e mirë, për mënyrën e interpretimit të lojës, për administrimin e grupit përtej cdo vështirësie sezonale e për një ide të qartë të shfaqur nga vera e konfirmuar me vetëm një goditje në janar, edhe atë për të zëvendësuar Ngo’o të dëmtuar.
Shehi duhet të jetë patjetër krenar për autoblindën që ka krijuar e që e sheh veten me 10 pikë avantazh kur kanë mbetur edhe 10 javë deri në fund: Tirana ka pësuar një humbje për fazë e 1.7 barazime në 9 ndeshje, kështu që probabiliteti thotë se bardheblutë titullin e kanë pothuaj të kopsitur.