Tirana fitoi edhe duke barazuar: ja efektet e javës së 24 të Superiores

“Nëse pas pesë ndeshjesh do të jem në këto pozita atëherë mund të them se kemi bërë përpara për titullin”. Kështu deklaronte Orges Shehi disa javë përpara, me afatin që përkonte pikërisht me derbin kryeqytetas me Partizanin. Planet e tij kanë dalë ashtu si tekniku shpresonte, madje edhe më mirë se e kishte imagjinuar, duke qenë se në kohën e thënies diferenca me Lacin ishte gjashtë pikë, ndërsa tani është tetë. Me llogari të bëra, ajo e 24 e Superiores ishte plotësisht java e Tiranës e profecia e teknikut pak hyn në këtë mes.

Bardheblutë kanë kaluar pengesën më të fortë që mund të kishin në fazën e tretë, duke kaluar me një barazim Partizanin, që jo më kot i entuziazmoi të gjithë në kampin e Tiranës nga presidenti Halili te tekniku Shehi, përfshirë natyrisht lojtarët. Një pikë në derbi nuk është asnjëherë pak, sidomos kur je në krye të klasifikimit, për më tepër kur të gjithë ndjekësit dështojnë të rikuperojnë qoftë edhe një pikë. Laci, skuadra më afër me pikë, ngeci për të tretën ndeshje radhazi në një barazim me Kastriotin, duke lënë diferencën të paprekur me vendin e parë. Jo vetëm kaq, sepse dy të tjerët që mund të shpresonin t’i jepnin vetes pak shpresë, Vllaznia e Kukësi, i prishën punë njëri-tjetrit duke qendruar 14 pikë nga Tirana që në këtë pikë mund vetëm të entuziazmohet.

Tani, me kalendarin që vrapon të ngushtohet, të besuarit e Shehit duhet të bëjnë llogaritë vetëm me kurbinasit, të cilët e kanë marrë një mësim në ndeshje direkte, si për ti treguar se kush komandon. Java e 24 e kampionatit nuk pati fitues në rezultat në zonën e lartë të klasifikimit, por i buzëqeshi plotësisht Tiranës që triumfoi edhe pa mundur Partizanin. E tani, duke përjashtuar katastrofat, luhet vetëm për vendin e dytë…