Tina Turner, nga abuzimi i bashkëshortit, varësia dhe depresioni te lumturia!

Një jetë plot magjepsje, suksese, çmime, dallime, udhëtime por edhe trauma të fëmijërisë, abuzime, varësi e deri te tentativat për vetëvrasje. Kështu mund të përvijohet rruga e turbullt e emblematikes Tinas Turner, e cila u nda nga jeta dje në moshën 83-vjeçare, gruaja që arriti të fitonte titullin “mbretëresha e rock and rollit”, të shiste më shumë se 200 milionë disqe në mbarë botën dhe shkruante emrin e saj me shkronja të arta në Librin e Rekordeve Guinness si artistja më e shitur e të gjitha kohërave!

Vajza nga Brownsville, Tennessee, e cila filloi të këndonte në koret e kishës dhe u prezantua artistikisht si këngëtarja e grupit Kings of Rhythm të burrit të saj abuziv Ike Turner, arriti, pavarësisht vështirësive të mëdha personale që hasi, të ngrinte një karrierë madhështore dhe të arrinte kufijtë e legjendës me një seri hitesh të shkëlqyera, të përjetshme, duke përfshirë këngët What’s Love Got to Do with It”, “Let’s Stay Together”, “We Don’t Need Another Hero”, “The Best”, “I Don’t want to Fight”, “Golden Eye” etj. Paraqitjet e saj të panumërta në koncerte nëpër botë, me super minifundet e saj që i nxirrnin në pah këmbët e mrekullueshme, flokët kaçurrela të padisiplinuara, mënyrën e veçantë që mbante mikrofonin dhe sigurisht kërcimi i saj i mrekullueshëm lanë pas një epokë.

Megjithatë, për Tina Turner, rruga drejt suksesit nuk ishte aq e vështirë sa ajo drejt vetëdijes dhe arritjes së ekuilibrit të saj personal.

“Do të vazhdoj!” Kjo ishte motoja e saj e përjetshme, dy fjalët që i dhanë forcë të ngrihej sërish sa herë që ndjente se nuk duronte më dhe e shihte vdekjen si të vetmen rrugëdalje nga martirizimi.
Ashtu si atëherë, gjatë viteve ’60 kur ajo jetoi një ferr të vërtetë në krah të bashkëshortit dhe babait të një prej dy djemve të saj, muzikantit Ike Turner. “Jeta me Ike ishte një mundim. Kam duruar vite të tëra abuzimi emocional dhe fizik. Sytë e nxirë, buzët e fryra, kockat e thyera dhe torturat psikologjike u bënë pjesë e jetës së përditshme. U mësova me vuajtjet dhe u përpoqa të ruaja mendjen, duke menaxhuar çmendurinë e tij. Ndjeva se nuk kishte rrugëdalje…” rrëfeu ajo në librin e saj “Lumturia je ti”, për të vazhduar rrëfimin sesi në fund arriti në pikën kur donte t’i jepte fund jetës. “Fillova të humbisja shpresat. Më në fund në vitin 1968 u zhyta në një dëshpërim dhe depresion të tillë sa nuk mund të mendoja qartë. Abuzimi dhe tradhtitë e Ike më paralizuan, nuk mund të ndjeja asgjë për veten ose familjen time, nuk mund të ndihesha e gjallë. E vetmja gjë që mund të ndjeja ishte se kisha arritur në fund. Një natë, pak para se të dilja në skenë, u përpoqa të vrisja veten duke marrë 50 pilula gjumi. Njerëzit pas skenës vunë re se diçka nuk shkonte me mua, më çuan në spitali dhe më shpëtuan jetën”.

Përshkrimi i emocioneve të para që ndjeu kur u kthye është vërtet tronditës: “Në fillim, kur u zgjova dhe kuptova se isha gjallë, u ndjeva e zhgënjyer. Mendova se vdekja ishte mundësia ime e vetme për të shpëtuar. Por nuk ishte në natyrën ime të qëndroja shtrirë për një kohë të gjatë. Për gati 29 vjet kam gjetur gjithmonë një mënyrë për t’u ngritur dhe për të vazhduar pavarësisht sprovave në jetën time.”

Kjo grua e talentuar dhe dinamike, ka pasur fatkeqësinë të njohë anën e ashpër të jetës, racizmin, mungesën e dashurisë dhe refuzimin që në fëmijëri. Marrëdhëniet e këqija dhe braktisja e prindërve të saj, fillimisht nga e ëma dhe më pas nga i ati, hapën plagë të thella që e ndoqën atë për pjesën më të madhe të jetës së saj: “Megjithëse racizmi ishte i shfrenuar, unë kisha gjëra më urgjente për t’u shqetësuar, duke filluar me një fakt që unë e kuptova shumë herët: që prindërit e mi nuk mund ta toleronin njëri-tjetrin. Ata luftonin vazhdimisht, të kapur në një luftë të tmerrshme që asnjëri prej tyre nuk mund ta fitonte. Mjerimi i tyre hodhi një hije të gjatë mbi fëmijërinë time.
Nëna ime, Zelma, ishte e dashur me motrën time, por jo me mua. E dija që isha fëmija që nëna ime nuk donte kurrë. Kjo është një barrë e madhe për një vajzë të vogël… Kur isha 11 vjeçe, nëna ime u largua përgjithmonë nga Nutbus dhe nuk u kthye më. Nuk më dërgoi kurrë një letër të vetme. Asgjë. Prisja postën çdo ditë me shpresën se ajo do të më kujtonte, por nuk e pashë më deri në funeralin e gjyshes Xhorxhia më shumë se pesë vjet më vonë. Kur mbusha 13 vjeçe, babai u largua. Ai shkoi në Detroit. Në fillim bënte disa përpjekje për të mbajtur kontakte duke dërguar herë pas here nga pak para për të ndihmuar të afërmit që kujdeseshin për mua. Isha një fëmijë pa prindër dhe pa shtëpi.”

Tina Turner nuk e përshkroi kurrë veten si një vajzë të bukur. “Kurrë nuk u ndjeva sikur përshtatesha me standardin e ‘vajzës së bukur’. Isha e dobët, në sytë e mi dukesha shumë e hollë për t’u konsideruar e bukur… Kur fillova të performoja, kalova shumë kohë duke u përgatitur për shfaqjet, duke u përpjekur të sigurohesha që çdo fije floku të ishte në vendin e duhur dhe që rrobat e mia të ishin perfekte. E megjithatë, kur u pashë në pasqyrë, dëgjova përsëri zëra që më thoshin se nuk do të isha kurrë aq e bukur sa doja të isha… “
Diku gjatë rrugës, ajo filloi të kuptonte burimin e vërtetë të shumicës së problemeve të saj, domethënë se nuk e donte veten sepse askush nuk e kishte mësuar se si ta bënte këtë. Pikërisht në atë moment të rëndësishëm të jetës së saj, ajo vendosi të ndryshojë. “Gjithçka që doja ishte të ndryshoja jetën time, edhe përmirësimi më i vogël do të ishte një lehtësim,” mendoi ajo dhe e ktheu vëmendjen te filozofia e jetës së budizmit. Ajo lexoi shumë, meditoi shumë, lutej shumë dhe ngadalë filloi të zbulonte ato elemente të karakterit të saj, si vetëvlerësimi i ulët, mohimi i vetëvlerësimit, tendenca për t’i lënë të tjerët të merrnin vendime për jetën e saj, gjë që e tërhiqte vazhdimisht dhe nuk e lejonte të ecte përpara dhe të shijonte gëzimet e jetës.

Vitet e fundit Tina Turner jetoi në Zvicër me bashkëshortin e saj të dashur Erwin Bach, me të cilin u martua në vitin 2012 dhe kujdesej që të shijonte çdo ditë që kalonte, qoftë edhe ato jo aq të mira. Si atëherë, disa vite më parë, kur u përball me një problem të madh shëndetësor dhe kishte nevojë urgjente për transplantin e veshkës. Burri i dhuroi një nga veshkat e tij, duke i kthyer asaj jetën për të cilën ajo luftoi aq shumë. Por fati kishte rezervuar për të më shumë goditje të fuqishme. Në vitin 2018, djali i madh Craig kreu vetëvrasje me armë, në moshën 59-vjeçare, ndërsa dhjetorin e kaluar vdiq edhe djali tjetër i saj, Ronnie, 62 vjeç.

Kjo do të ishte goditja përfundimtare për gruan e guximshme që deri vonë deklaronte me shumë forcë dhe gjakftohtësi:
“Tani që lumi i jetës sime ka kaluar moshën 80 vjeç, ndihem më e re se kurrë. Praktika ime aktuale më motivon të jetoj çdo ditë me ndërgjegjësimin për të tashmen dhe më kujton të shikoj nga e ardhmja. Me të gjitha problemet e mia shëndetësore, çdo ditë është si një bekim i ri, si një qershi e mrekullueshme mbi tortën e jetës sime. Më pëlqen t’i kujtoj vetes se rritja dhe plakja nuk përkojnë domosdoshmërish. Siç tha dikur shkrimtari i madh gjerman Hermann Hesse, sa më shumë të maturohemi, aq më të rinj bëhemi. Çfarë ideje e bukur?!”, rrëfeu ajo me entuziazëm.
Po për këshillat e vlefshme për jetën që u dha të tjerëve? “Nëse keni diçka përpara dhe po e shtyni sepse mendoni se nuk jeni mjaftueshëm i mirë për ta realizuar, vazhdo, nxito, vrapo!”/K.C/dritare.net