Thirrja për bojkot të koncertit në Tiranë/ Notis Sfakianakis reagon për herë të parë

Pas polemikave të shumta ku figura të njohura shqiptare bënë fushatë për të bojkotuar koncertin e këngëtarit grek, Notis Sfakianakis, pasi thuhej se ky i fundit ka bërë mjaft deklarata të forta kundër shqiptarëve, më në fund vjen dhe reagimi i parë i tij, për më tepër në gjuhën shqipe. Sfakianakis ka mbërritur në Tiranë, dhe ka dhënë një intervistë për “Top Channel”, ku ka mohuar kategorikisht zhurmnajën se ka folur kundër shqiptarëve. Veç të tjerash në gjuhën shqipe, Notis Sfakianakis është shprehur se i pret të gjithë në Pallatin e Kongreseve, duke shtuar se i do shumë qytetarët e Shqipërisë. “Nuk i kam thënë kurrë ato fjalë. Mediat më kanë manipuluar. Dhe diçka tjetër, fakti që këtu jemi në ILIRI, kjo i thotë të gjitha. Ta ftojmë publikun së bashku në Pallatin e Kongreseve të enjten… Ju dua shumë, ju pres në Pallatin e Kongreseve!”, artikuloi ai ftesën e vet publike para koncertit. Ylli grek i muzikës Notis Sfakianakis pritet të performojë në Pallatin e Kongreseve në datë 24 Maj, që do të jetë koncerti i tij i parë në Shqipëri organizuar nga “Top Channel”. Çmimi për biletë në platetë B,C dhe D të Pallatit të Kongreseve është 10.000 lekë të reja, ndërsa çmimi për biletë në platenë A është 15.000 lekë të reja./Story.al/