“Thikat” e Alban Ramosajt që shtuan magjinë te “Kënga Magjike”!

Që Kënga Magjike e këtij viti do ishte speciale, u pa që në momentin kur u vendos të mbahej në prag të verës, gje që përkthehej në më shumë hite nga këngëtarët, por u vu re sidomos kur doli lista e artistëve pjesëmarrës, me emra të rëndësishëm dhe të talentuar që i kanë sjellë krijimet në festivalin e këtij viti. E ndërsa deri më tani kemi parë një pjesë të mirë të këngëve, ku nuk kanë zhgënjyer si baladat ashtu edhe ato ritmiket, do veçonim “thikat” e Alban Ramosajt, që ditën e djeshme i shtuan më shumë magjinë “Këngës Magjike”.

Një krijim i Brunos, Fifit dhe Albanit, me dy të parët që mesa duket kanë kaluar shumē kohë në studio gjatē 2021 për të prodhuar disa prej këngëve të festivalit të këtij viti, “Thikat” e kanë tehun e mprehtë, por jo aq sa zëri i Ramosajt sidomos gjatë refrenit të këngës. Teksti është sa i thjeshtë, aq edhe i kompleks, ku si rrallë herë këto kohë nuk mungojnë figurat letrare, ndërsa ne duhet të falenderojmë atë “të marrën” që ka frymëzuar si Albanin, ashtu edhe Fifin. Pa dashur të gëzohemi për vuajtjet e tyre në dashuri…Ndërsa muzika është ajo që të bën t’i japësh replay këngës të paktën 6 herë, para se të kesh dëshirë të dëgjosh tjetër.

Na bëhet qefi që ka artistë si Albani që nuk bëjnë kompromise asnjëherë për të sjellë “hite”, por i mbetet besnik stilit të tij. Nga ana tjetër, kështu siç e kanë nisur, Fiti dhe Bruno janë në rrugën e duhur për t’i bërë “Threedots”-at krenarë këtë edicion. Mos u çudisni kur ta shihni emrin e Albanit atje lart në fundin e festivalit. Kjo, ose interneti do mërzitet shumë nëse nuk është. /News31