Themeluesi i WikiLeaks dhe nëna e dy fëmijëve të tij do të martohen sot në burgun e sigurisë së lartë! Kushtet për ceremoninë dhe thirrjet për mbështetësit e Julian Assange
Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange do të martohet sot me të fejuarën e tij në burgun Belmarsh.
Assange ndodhet në një burg të sigurisë së lartë që kur u tërhoq zvarrë nga ambasada ekuadoriane në Londrës në vitin 2019, ndërsa vitin e kaluar iu dha leja për t’u martuar.
Ai aktualisht po “lufton” që të mos ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku kërkohet si i akuzuar për një komplot për zbulimin e informacioneve të mbrojtjes kombëtare pas publikimit nga WikiLeaks të qindra mijëra dokumenteve të zbuluara në lidhje me luftërat në Afganistan dhe Irak.
Assange ka fituar mbështetje nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet e gazetarëve në mbarë botën.
E fejuara e tij, Stella Moris tha se ishte e gëzuar që u lejua të martohej me themeluesin e WikiLeaks, pavarësisht kufizimeve të vendosura në dasmën e tyre.
Vetëm katër të ftuar dhe dy dëshmitarë do të lejohen të marrin pjesë në ceremoni, si dhe dy roje sigurie.
Dame Vivienne Westwood ka dizanjuar fustanin e nusërisë së Moris dhe kostumin për Assange, prindërit e të cilit janë me origjinë skoceze.
“Natyrisht që jemi shumë të emocionuar, edhe pse rrethanat janë shumë kufizuese. Të ftuarit dhe dëshmitarët duhet të largohen sapo të përfundojë ceremonia, edhe pse kjo do të jetë para përfundimit të kohës normale të vizitës. Julian mezi po e pret të martohemi sepse më në fund po ndodh, shumë muaj pasi kemi bërë kërkesën”, u shpreh ajo.
Mbështetësit e Assange do të mblidhen gjithashtu jashtë burgut të mërkurën për të festuar dhe çifti u ka kërkuar atyre të vishen sikur të ishin duke marrë pjesë në një martesë.
Kostoja e ceremonisë do të mbulohet nga çifti, të cilët kanë dy fëmijë së bashku, Max, dy vjeç dhe Gabriel, katër vjeç.
Në vend të dhuratave, u sugjerua që mbështetësit e Assange të dhurojnë për fushatën e re zyrtare Crowdfunder, të sponsorizojnë një stol parku ose diçka të ngjashme në zonën e tyre dhe të vendosin postera që bëjnë thirrje për lirimin e Assange.