Tërmeti shkund vajzat seksi të showbiz-it, heqin takat e dalin në terren për të mbledhur para
Duke qenë se shumë familje në Durrës e Thumanë mbetën pa shtëpi pas tërmetit që goditi Shqipërinë, disa persona dhe organizata kanë nisur fushata për mbledhje fondesh.
Këtë nismë e kanë ndërmarrë edhe vajzat e njohura të showbiz-it, të cilat si rrallëherë kanë vendosur të heqin dorë nga takat dhe grimi, duke dalë në terren për mbledhjen e parave dhe ndihmave që do të shkojmë për të dëmtuarit nga kjo katastrofë natyrore.
Moderatorja e emisionit “Ftesë në 5”, Bieta Sulo, shkoi në qytetin e Durrësit, aty ku edhe ishte epiqendra e tërmetit tronditës ditën e martë. Në një situatë mjaft delikate, Bieta Sulo drejtoi progamin në një prej vendeve ku ishin akomoduar 300 persona të dëmtuar nga tërmeti. Midis shumë intervistash, moderatorja solli një pasqyrim të realitetit të vështirë që banorët e Durrësit janë duke kaluar këto ditë. Pranë saj ndodheshin edhe gazetarët e terrenit, të cilët raportuan në kohë reale atë çfarë kishin parë. Në sallë ishte prezente gjithashtu dhe Dalina Buzi, e cila komentoi punën aktuale që mediat kanë bërë për të informuar njerëzit. Ndryshe nga më parë, Bieta solli më pranë aktualitetin shqiptar, duke vizituar nga afër qytetin, i cili pësoi kaq shumë dëmtime në vetëm pak ditë.
Ndërkohë, dy mikeshat e ngushta, Adrola Dushi dhe Xhesika Berberi, të cilat për momentin jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të punës së tyre, kanë shpjeguar në anglisht të gjithë situatën dhe kanë treguar se të ardhurat e mbledhura do të përdoren për strehim, ushqime dhe çdo gjë tjetër, për të cilën do të kenë nevojë banorët që janë prekur nga tërmeti.
Dy modelet kanë vendosur si qëllim mbledhjen e 200 mijë dollarëve dhe deri më tani disa persona kanë ofruar ndihmën e tyre. Për të nxitur mbledhjen e fondeve, Adrola dhe Xhesika kanë dhënë edhe një mesazh.
“Tërmeti që shkundi Shqipërinë ka shkundur zemrën e çdo shqiptari… Të gjithë bashkë mund të bëjmë diçka për të ndryshuar realitetin e trishtë të Shqipërisë sot. Le të veprojmë me zemër!”, kanë shkruar modelet në llogaritë e tyre në rrjete sociale. Deri më tani, 15 persona kanë humbur jetën nga tërmeti dhe shumë të tjerë ndodhen ende nën rrënoja.
Po ashtu, aktorja Olta Gixhari ka vendosur të bëjë të njëjtën gjë, duke shpërndarë ndihma për familjet e dëmtuara. Durrsakja e famshme zemërthyer ka bërë një postim të ndjerë, duke u gjendur afër të lënduarve nga tërmeti që preku vendin tonë. Ajo, përmes një postimi në “Instagram”, shprehet zemërthyer për qytetin e saj, Durrësin. “Kurrë qielli s’ka qenë kaq i zi në këtë orë. E dua shumë qytetin tim, lutem t’i kthehet dielli përsëri”, shkruan Olta në “Instastory”.
Grupit të vajzave seksi që kanë hequr dorë nga ritualet e bukurisë për t’iu gjendur afër të dëmuarve i shtohet edhe Dorina Mema, Oriola Marashi, Angela Martini, Einxhel Shkira, Beatrix Ramosaj, Ronela Hajati.
Emrave të njohur që po japin kontributin e tyre për njerëzit, të cilët janë dëmtuar nga tërmeti, i është bashkuar dhe këngëtarja e njohur shqiptare, Tuna Sejdiu. Me anë të disa fotove të publikuara në rrjetet sociale, Sejdiu ka bërë të ditur se së bashku me kolegët dhe miqtë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria ka mbajtur një konferencë me iniciativën e përbashkët për të mbledhur donacione për ndihmën dhe mbështetjen e viktimave të prekura nga tërmeti në vendin tonë. Këngëtarja e njohur ka shtuar se ata nuk janë vetë, duke theksuar se dhe ajo do të japë ndihmën e saj në këtë moment të vështirë për Shqipërinë. Tuna ka bërë të ditur të gjitha vendet ku njerëzit mund të drejtohen për të lënë ndihmat e tyre, teksa është kujdesur edhe për organizimin e kësaj mbledhjeje.
Kujtojmë se përveç Sejdiut, edhe emra të tjerë të njohur publikë kanë dhënë ndihmën e tyre duke shkuar në terren me ushqime dhe çdolloj tjetër ndihmë, e cila u është dashur njerëzve. Personazheve të njohur u janë bashkuar dhe ata me me famë botërore, të cilët shprehën publikisht solidaritetin pas ngjarjes së rëndë në Shqipëri.
Dua Lipa dhe Gashi treguan se ishin prekur nga ngjarja e rëndë, që pati pasoja tragjike. Ndërsa Bebe Rexha ka thënë se po përpiqet të mbledhë disa para për ndihmë. “Më vjen shumë keq për atë që ndodhi dhe unë po përpiqem të gjej një mënyrë për të ndihmuar disa njerëz duke ngritur një fond. Ju dërgoj lutjet dhe dashurinë time të gjithë atyre që janë prekur nga tërmeti”, është shprehur Bebe. Në fund të videos, këngëtarja ka thënë “të dua shumë” në gjuhën shqipe.