Telashe për Mozzik! Reperi përfundon në polici, dyshohet se kërcënoi me armë një person (Detajet)

Reperi i njohur Mozzik është marrë në pyetje nga policia gjatë mbrëmjes të së martës (16 maj) pasi dyshohet se ka kërcënuar një person.

Reperi nga Ferizaj dyshohet se ka kërcënuar me armë një person, si pasojë e një konflikti momental që kanë pasur me njëri-tjetrin, madje edhe janë kërcënuar.

Pas marrjes në pyetje nga policia, Mozzik është liruar. Ndërkohë Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka ngritur dy akuza kundrejt reperit.

Mozzik do të hetohet nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Kanosje” dhe “Përdorim i armës”.
Teksa hetimet po zhvillohen lidhur me këtë rast, arma të cilën reperi e posedonte me leje, është sekuestruar nga Policia.

Sipas gazetës ‘Sinjali’, Mozzik e ka mohuar se e ka kërcënuar me armë personin në fjalë, teksa ka theksuar gjithashtu se armën nuk e ka përdorur fare.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka deklaruar se janë dhënë dy dëshmi të ndryshme lidhur me përdorimin e armës.

“I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pasi kanosja nuk ka qenë e atij niveli shumë serioz. Kanosja ka ekzistuar mirëpo nuk ka qenë me seriozitet për rrezik se mund të përsëritet, prandaj nuk është ndaluar. Arma me leje është sekuestruar. Dy dëshmi i kemi lidhur me rastin dhe hetimet janë duke vazhduar në këtë drejtim”, tha Jashari për Sinjalin.