“Të rinjtë po transmetojnë virusin tek moshat e treta”, Najada Çomo flet për rritjen e rasteve me Covid

Numri i të prekurve me Covid ka qenë gjithmonë e më në rritje ditët e fundit. Shefja e Infektivit, Najada Çomo ka deklaruar se gjendja në spitale është rënduar.

Ajo ka tërhequr vëmendje se të rinjtë po transmetojnë sëmundjen tek moshat e treta. Çomo ka bërë thirrje për qendrimin sa më pak në vende publike, si dhe për përdorimin e maskës si e vetmja ‘armë’ mbrojtëse. “Keni një detyrim madhor”, ka thënë Çomo, duke iu referuar kujdesit që duhet treguar nga gjithësecili lidhur me respektimin e masave parandaluese.

”Numri i pacientëve të shtruar në shërbim ka ardhur duke u shtuar. Dua të tërheq vëmendjen se një pjesë e madhe e të shtruarve tek Infektivi janë në gjendje të rënduar, një pjesë në terapi intensive. Ajo që dua të thekson është se qytetarë të nderuar, është situatë për t’u shqetësuar nga ana shëndetësore për shëndetin tuaj.

Jemi në krye të detyrës për t’ju shërbyer sigurisht. Por keni një detyrim madhor. Të qëndroni sa më larg të sëmurëve, që kanë sëmurë të tjerë. Ulni në maksimum qëndrimin në vende publike, si dhe maska është e vetmja armë mbrojtësi që kemi. Virusi është mes jush, ju bëni hapin për t’u mbrojtur.

Ju bëni hapi që të kujdeseni sa më shumë, në të kundërtën në Shqipëri do të kemi një numër të shtuar të personave. Virusi nuk ka më përzgjedhje, jo vetëm mosha të treta. Janë moshat e reja që e çojnë tek të tjerët duke e çuar te moshat e treta. Kini në vëmendje se ky virus është shumë tepër mes jush tani që u hoqën dhe barrierat, pra vendi është i hapur”, u shpreh Çomo.