Të moshuarit në azil ankesë për Albanin dhe Florin: “Dëgjohet vetëm muzikë, nuk ka ilaç tensioni që i mban”
Alban Skënderaj dhe Flori Mumajesi kanë vendosur të ecin para në kohë dhe këtë herë nuk po flasim për muzikën. Dy muzikantët kanë parë larg, shumë larg, rreth 40 vite larg dhe gjejeni çfarë?
Albani dhe Flori e kanë gjetur veten në të njejtin azil, sepse fati nuk mund të lejonte as këtë herë që të ‘urreheshin’ në distancë. Nëse nuk na besoni, mjafton të shikoni foton e mëposhtme.
Sipas rrëfimit të Florit, në këtë moment specifik Albani ka qenë duke i treguar këngën e tij të 1873. Flori nga ana tjetër, ka pozuar me një mega buzëqeshje në fytyrë, jo nga gëzimi apo entuziazmi, por sepse siç shpjegon ai: “Unë nuk dëgjoja mirë në rini, jo më tani në këtë moshë. Prandaj po shkrihesha ndërkohë që luante një baladë prekëse.” (Ok, pas kësaj deklarate Albani nuk do ta presë më Florin për të pirë kafen e mëngjesit bashkë…)
Dyshja kanë realizuar një selfije (se kështu e quajnë rinia sot, apo jo?) për ta mbajtur mend gjatë – pra, për plot 5 minuta – këtë moment epik. Albani, me iPhone-n që i ka sjellë nipi nga Anglia, kurse Flori, mesa kuptohet nga qartësia e fotos, me një smartphone që sipas komenteve, ia ka sjellë mbesa. Nuk e dimë a do lidhen ndonjëherë ‘live’ në Instagram, por që ka kohë edhe për këto punë – kështu pretendojmë ne të paktën.
Ndërkohë, ekskluzivisht për redaksinë tonë kanë ardhur ankesa nga azili për dy ‘miq dhe rivalë’ që gjithë ditën e ditës nuk pushojnë me këngë e kitare, nga mëngjesi në darkë. “Nuk ka ilaç tensioni që i mban”, tregon një burim i sigurt për News31. Për seritë e tjera, mbetemi të na tregojë Flori më shumë.
Ps. Se për çfarë po flasim, mund ta kuptoni më mirë nga postimi i mëposhtëm. Flori dhe Albani prej ditësh po tërheqin vëmendje me batuta dhe postime plot humor. Çka i ka gëzuar fansat është lajmi se dy kantautorët, shumë shpejtë do të vijnë me një projekt të përbashkët. Deri atëherë do të dëgjohemi sërish me paroditë e shkurtra, frymëzuar nga Flori dhe Albani.