Të kundërtat tërhiqen? Shkenca thotë “Jo”. Ja pse!

Nuk është e vërtetë që të kundërtat tërhiqen: sipas hulumtimeve të reja ne priremi të bëhemi çift me ata që kanë karakteristika të ngjashme me tonat. Sa herë keni dëgjuar se “të kundërtat tërhiqen”? Kjo thënie popullore ka ushqyer gjithmonë shpresat romantike të shumë njerëzve, por kërkimet e reja shkencore tregojnë të kundërtën.

Studimi, i kryer nga Universiteti i Kolorados në Shtetet e Bashkuara dhe i botuar në revistën “Nature Human Behavior”, shqyrtoi të dhënat që mbulojnë gati një shekull që përfshin informacion mbi më shumë se 130 tipare personale; duke përfshirë prirjet politike, moshën e marrëdhënies së parë seksuale dhe zakonet e konsumit.

Çuditërisht, për shumicën e këtyre 130 karakteristikave, secili prej nesh kërkon të bashkohet me dikë të ngjashëm që ndan të njëjtat vlera dhe ideale. Vetëm në një përqindje të vogël të rasteve, individët zgjodhën partnerë me karakteristika të ndryshme nga të tyret.

Sipas ekspertëve, këto gjetje mund të revolucionarizojnë mënyrën se si ne mendojmë për marrëdhëniet e dashurisë. Dr. Matt Keller, autor i hulumtimit, theksoi se shumë modele në gjenetikë supozojnë se çiftëzimi i njerëzve është i rastësishëm. Ky studim tregon se ky supozim është ndoshta i gabuar”.

“Këto gjetje sugjerojnë se edhe në situatat kur ne mendojmë se kemi një zgjedhje për marrëdhëniet tona, mund të ketë mekanizma që ndodhin prapa skenave për të cilat ne nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm”, thotë doktoresha dhe studiuesja Tanya Horwitz.

Me fjalë të tjera, zbulimi i ri na shtyn të reflektojmë mbi preferencat tona personale dhe mekanizmat themelorë të marrëdhënieve; prandaj na bën të marrim parasysh ngjashmëritë më me kujdes kur kërkojmë një partner romantik. Në fund të fundit, megjithëse thënia “të kundërtat tërhiqen” ka pasur një tërheqje të madhe romantike, duket se realiteti është ndryshe.

Shkenca na mëson se, kur bëhet fjalë për dashurinë, ne mund të jemi më të prirur të gjejmë shpirtin tonë binjak mes atyre që ndajnë të njëjtat karakteristika si ne.

Bordo