“Të kthehet ligji me varje”/ Flet xhaxhai i autorit të krimit në Fier: E këshillonim por nuk na dëgjonte! Nga burgu doli ashtu si hyri, nuk ndryshoi

Pas ngjarjes së rëndë në Fier ku Klodian Çalamani rrëmbeu dhe vrau një 8-vjeçar, ka folur xhaxhai i autorit. Sipas dëshmisë të siguruar nga News24, Vllasi Çalamani thotë se autori nuk vuante nga probleme të shnëdetit mendor.

Madje për këtë ngjarje, ai shprehet se autori duhet të dënohet me varje. Sipas tij, të afërmit e këshillonin vazhdimisht autorin që të punonte dhe të sillej mirë.

Xhaxhai thotë se i nipi edhe kur doli nga burgu vijoi me të njëjtën sjellje, ndërsa shtoi se nuk i druhet një hakmarrjeje nga familja e djalit, për arsye se ai nuk ka konflikt me asnjë.

“Ne e njohim atë ashtu siç foli. I kemi folur gjithmonë. Mua nuk më dëgjonte. Ai nuk kishte një moshë 14 vjeç, por po shkonte 40. Nipi nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor. Unë të paktën nuk e di. Unë nuk flisja me nipin sepse nuk më dëgjonte. Ai edhe njëherë ka marrë një vajzë, e rrëmbeu, por nuk di përse e bëri. Unë e di që ai pinte alkool, tjetër se di. Nuk i druhem hakmarrjes, sepse unë nuk kam punë me nipin.

Unë i bëj thirrje kryetarit të parlamentit ligjin me varje. Ai nuk është për shoqëri më. Ai jetonte vetëm. Unë them që ai e ka bërë ngjarjen. Nuk e di çfarë e ka shtyrë që të merrte këtë akt ndaj fëmijës. Ai ashtu siç hyri në burg e ashtu doli, nuk ndryshoi fare. Në një moment të dytë do të shkoj te familja e djalit, sepse kam fëmijë vetë edhe nipër. Bashkia e futi në punë, por ai pinte dhe ashtu nuk të mban njeri në punë”, tha xhaxhai i Klodianit.

SI NDODHI NGJARJA

Mateo Vasiu u vra në mënyrë makabre nga fqinji i tij, i cili dyshohet se e ka rrëmbyer të miturin. Pas denoncimit të nënës, Florindës, forcat e rendit janë vënë menjëherë në lëvizje, duke nisur hetimet për rastin.

Kamerat e sigurisë në zonë, të cilat janë këqyrur nga hetuesit, kanë zbuluar momentet e fundit të 8-vjeçari, i cili kishte biseduar për disa momente dhe kishte pedaluar në rrugët e lagjes me biçikletën e atij që do të bëhej vrasësi i tij. Pas këtij momenti, Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e 38-vjeçarit, Klodian Çalamani, i cili sipas burimeve jetonte i vetëm në banesë.

Trupi i pajetë i vogëlushit është gjetur i groposur në një nga cepat e banesës së autorit të dyshuar të krimit i mbuluar me baltë.

“Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur. Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë”, sqaroi Policia.

Viktima ka dy plagë të dukshme në pjesën e kokës, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga goditja me lopatë. Do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë saktë shkaqet e vdekjes tragjike të 8-vjeçarit.

Panorama.al