Të gjithë po na thonë të shohim Sofian

Mbrëmjen e 2 nëntorit u mbajt premiera e filmit më të diskutuar momentalisht “Sofia” me regji nga Eduart Grishaj. Në premierë ishin ftuar artistë të shumtë, nga bota kinemasë, televizionit, por edhe ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith. Ambasadori është mes shumë personazheve të njohur që kanë shprehur vlerësimin për filmin “Sofia”.

“Me të vërtetë më shijoi shumë të shihja këtë film brilant “Sofia”, që thekson tragjedinë e luftës dhe sesi dashuria triumfon edhe kur vendet janë në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin. Nëse ju jepet shansi, shikojeni! Ju sfidoj të mos qani! Të lumtë regjisor i vlerësuar me çmim, Eduart Grishaj”, ka shkruar ambasadori.

Personazhe të tjerë që kanë shprehur vlerësim për filmin “Sofia” janë të shumtë. Mes tyre, Valbona Selimllari shkruan: “Një prodhim emocionues që duhet ta shihni të gjithë. Shumë urime Eduart Grishaj”. Xhemi Shehu shprehet se “Sofia” është një super realizim për të mos u humbur.

“Një film që nuk duhet humbur”, thotë gjithashtu edhe Amarda Toska.

Jonida Maliqi ka postuar disa foto nga premiera duke u shprehur se e ka shijuar shumë këtë super film.

Dj Dagz gjithashtu shprehet: “Ja vlen të shkoni ta shihni këtë super histori të realizuar në mënyrë shumë profesionale”.

Në filmin “Sofia”, ngjarjet zhvillohen në dy kohë. Një vajzë e re serbe viziton Shqipërinë në kërkim të rrënjëve të një historie të vjetër për gjyshin e saj gjatë Luftës së 1941. Ajo bie në dashuri me një djalë shqiptar, duke filluar një marrëdhënie “të pamundur” midis dy kombeve të ndara nga lufta. Autori është frymëzuar nga të rinjtë serbë qe studiojnë gjuhën shqipe. Mes kastit si Rozafa Celaj, Antonio Kodrinaj, Rita Gjeka, Adem Karaga, Alfred Trebicka, Çun Lajçi, Arbana Osmani etj, bie në sy dhe pjesëmarrja e aktores së madhe Tinka Kurti.