“Të gjithë marrim atë që meritojmë”/ Alketa Vejsiu rrëfen momentin më të vështirë të karrierës
E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje” nga Arbana Osmani, moderatorja e njohur Alketa Vejsiu ndau një nga momentet më të vështira të karrierës së saj profesionale. Në një bisedë të sinqertë, Alketa foli për përballjen me kritikat dhe sfidat që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e saj.
Arbana Osmani: Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tënde?
Alketa Vejsiu: “Festivali i madh. Nuk u kënaqa me atë festival. Ndodhi një zhurmë mediatike e organizuar nga disa klane të vogla dhe njerëz meskinë që nuk kënaqen kurrë me punën e tjetrit. Por unë mendoj që ai ka qenë një nga festivalet më të mirë në këto 20 vite, ashtu si dhe ai i yti, Arbana. Fakti që rinia erdhi në atë festival për mua ishte fitorja më e madhe.
Megjithatë, më la një shije jo të mirë… Por unë them se gjithmonë marrim atë që meritojmë. Ndonjëherë ka gjëra që kënaqin shpirtin dhe gjëra që kënaqin egon. Tre javë më vonë, mora atë që meritova. Shkova në Sanremo. Dhe në Sanremo shkova vetë.”
Arbana Osmani: Por pati njerëz që thanë se nuk shkove vetë. Ç’mendim ke për ata që thonë se të ndihmuan të tjerë të arrije atje?
Alketa Vejsiu: “Ua, punë e madhe çfarë thonë njerëzit. Unë shkova në Sanremo. Historia do të mbajë mend që Alketa ngjiti Sanremon. E vërteta gjithmonë ka rëndësi.”
Arbana Osmani: Nuk të vjen keq që njerëzit, pa ditur asgjë, shpikin legjenda që nuk ekzistojnë?
Alketa Vejsiu: “Ne jemi një popull shumë kreativ. Çdokush është i lirë të mendojë çfarë të dojë. Por historia ime është një histori frymëzuese. Nga hiçi, një njeri mund të arrijë të ngjisë shkallët e një festivali ndërkombëtar. Unë trokita shumë dyer e mu përplasën shumë dyer deri sa ja dola.”
Revista Who