“Të gjithë këndojnë gegënisht”, Sidrit Bejleri: Situata po degradon, tekste ka vetëm MC Kresha dhe Dr. Flori
Sidrit Bejleri është një ndër këngëtarët më të njohur shkodran. Ai preferohet shumë nga publiku dhe kjo ka bërë që të jetë sa më afër tyre gjithmonë me projekte muzikore.
Së fundmi, Sidriti ka lançuar albumin e tij më të ri me titull “Pat kenë një kohë”, të cilin e ka promovuar sot në “ABC e Mëngjesit”. Ai ka thënë se në ditët e sotme është shumë vështirë të bësh një album pasi muzika po degradon, veçanërisht tekstet.
Sipas Bejlerit të gjithë po mundohen të këndojnë gëgënisht pasi e shohin si diçka të suksesshme.
“T’i bish murit me kokë se fatkeqësisht këtu situata po degradon dita ditës, them me shumë keqardhje. I kanë detyruar ata që dinë të bëjnë më mirë muzikë të kontrollohen pothuajse në tre akorde, por tekstet nuk janë mirë fare.
Nuk dua të jap emra, por kur shkoj nëpër studio më thuhet termi “thjeshtohu”. Mos ji kaq i përbërë, thjeshtohu në fjalë. Fatkeqësisht kemi ngelur te fjala “dashni”, e cila është një fjalë shumë e madhe, por po përdoret shumë.
Kam përshtypjen që te muzika moderne, folku, turbofolku, edhe te popi i ri që po pretendojnë se po e bëjnë, hip-hopi. Ndërkohë, që ka hip-hop-ist që i bëjnë tekstet shumë të mira si MC Kresha apo DR. Flori, i cili nëse ka bërë një “S’kena para” që këndohej gjithandej, përfshirë personin në fjalë, me shumë lezet, finesë thotë “S’kena para”, ose “Hou çike”, që tani i përkasin asaj playliste të artë të muzikës që ka të bëjë pak si Ballkan, pak si folk.
Pa dashur të jap emra, është krijuar një trend kohët e fundit që po duan të këndojnë gegënisht, pasi po shohin që mesa duket artistët e Kosovës po kanë sukses. Realisht mua më buron gegnishtja dhe mendimet më vijnë të tilla, pavarësisht se u mundova ta zbusja te ‘The Voice’.
Është një çift tani shumë i suksesshëm të cilët është e çuditshme puna e fatit, se u njohën në ekipin tim Lind Islamin dhe Venera Lumani. Lindin e kam po në album, është një trio me Lind Islamin dhe Florent Abrashin. Përkatësisht Lindi finalist i The Voice 2, kurse Florenti fituesi i The Voice 3. Edhe mendova atëherë, ky sa kishte fituar Voice dhe ky tjetri gjysmë-finalist, të gjithë i duan, të bënim një këngë. Unë mendoj që muzika e mirë reziston se kënga mbetet këngë”, u shpreh ndër të tjera këngëtari./abcnews.al