Tarifa 10 Euro në “Rrugën e Kombit”/ Adi Krasta rebelohet, Florent Boshnjaku dhe Alfred Kaçinari gjejnë zgjidhjen

Tarifa prej 10 eurove (vajtje-ardhje), që duhet paguar nga qytetarët në autostradën e “Rrugës së Kombit”, ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale. Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe moderatori I njohur televiziv, Adi Krasta. “Vendosja sot e tarifës paguese për pjesën e Shqipërisë në Rrugën e Kombit është e njëanshme, e pajustifikuar, e parakohshme, e nxituar, e pabalancuar dhe tregon se si aksion qeveritar është nxitur, ose nga një falimentim financiar i shpejtë, ose nga një mendim i shëmtuar e arrogant se ky veprim i pamençur dhe në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në të dy anët e Kombit do mbetet pa ndëshkim, ose pa analizë”, shkruan Krasta i revoltuar në rrjetin social Facebook. Ndërsa muzikanti Florent Boshnjaku ka bërë pak humor me këtë diskutim që i ka përfshirë të gjithë, ndërkohë që ka gjetur një zgjidhje që kjo tarifë të mos duket shumë e rëndë për një person të vetëm. “5 € Fredi, 5 € unë e u takuam në Prizren”, shkruan ai poshtë fotos në kafe me muzikantin dhe anëtarin e jurisë së “Dancing with the Stars”, Alfred Kaçinari, i cili ka shkuar ta vizitojë në Kosovë. /Story.al/