“Tani duhet të kem ëndrra të tjera që erdha në kombëtare”, Çekiçi: Nuk e kam humbur besimin se do të merrja ftesë
Futbollisti i Olimpia Lubjanës Endri Çekiçi nuk e fshehu gëzimin e grumbullimit për herë të parë me kombëtaren A.
Në konferencën e ditës së sotme së bashku me Armando Brojë, lojtari pogradecar tregoi se nuk e kishte menduar se do të thirrej në një kohë së bashku me Rei Manaj, Kejdi Baren dhe Qazim Laçin, me të cilët ka qenë shokë skuadre te Shqipëria U21, raporton Panorama Sport.
Çekici shtoi se duhet të ketë ambicie të tjera tashmë që u thirr për herë të parë te Shqipëria.
“Thirret në kombëtare pas disa vitesh pritje – Siç e thatë edhe ju, kisha vite që e prisja. Është ëndërr e kthyer realitet. Tani që u plotësua ëndrra, duhet të kem ëndrra të tjera. Që nga dita e djeshme që i jam bashkuar ekipit, duhe ta tregoj pse jam këtu. Mbase trajneri mund të mbështetet tek unë. Jam i lumtur që jam këtu. Në fillim më erdhi lista e pritjes, nuk e humba besimin për asnjë moment. Po vija pas një sezoni të mirë, e nisa mirë sërish, isha i bindur që në një moment do të vinte ftesa.
Lubjana – Që kur fillova të luaja atje, drejtuesit më dhanë mbështetje maksimale, normalisht ndihesh më i lirshëm. Besoj ka treguar potencialin. Gjithçka ka të bëjë me psikologjinë.
Manaj, Bare, Laçi, Çekici nga Shpresat te Shqipëria – Edhe atëherë te U21 kishim një ekip të mirë. Besoj të gjithë kishim ëndërr të luanim me kombëtaren A. Ja ku jemi sot, nuk na priste që do të mblidheshim të gjithë së bashku.
Siç e thashë nuk e shikoj ashtu. Që në momentin kur jam pjesë e ekipit, mendoj të jap maksimumin në çdo ndeshje.
Goli i debutimit me Shqipërinë – Qëllimi kryesor është të marr mintua pastaj të vijë dhe goli”, deklaroi Endri Çekiçi.
PANORAMASPORT.AL