“Ta pres kokën dhe e fus në valixhe, nëse im bir nuk luan”: kërcënime shokuese trajnerit të Avellino
Një tentativë e rëndë agresioni mbi kreun e sektorit të të rinjve të Avellino, Giuliano Capobianco ka ndodhur në Venticano. Aty dje, ekipet e Irpinia Under 15 dhe 17 u përfshinë në ndeshjet në shtëpi kundër Viterbese. Nga tribuna, një prind i një lojtari të Avellino fillimisht nisi të shante dhe më pas u drejtua kërcënueshëm drejt fushës kundër personit përgjegjës. Trajneri u quajt fajtor për mungesën ose aktivizimin e pakët të fëmijës së tij. Vetëm ndërhyrja e prindërve të tjerë ka shmangur kontaktin mes palëve. Ndërsa, shoqëria bardhezi ka ndërhyrë përmes një deklarate zyrtare.
SOLIDARITETI
“Klubi shpreh solidaritet të plotë me Giuliano Capobianco, drejtues i sektorit të të rinjve, për kërcënimet dhe tentativat e vazhdueshme të agresionit të pësuar muajt e fundit nga prindërit. Ata, pa asnjë bazë dhe me mënyra të diskutueshme, ankohen për mungesën e aktivizimit të fëmijëve të tyre. Shoqëria do të marrë masa ndaj të teseruarve të përfshirë, pavarësisht përgjegjësisë indirekte të palëve të interesuara. E, në të njëjtën kohë, personat që janë viktima të këtyre episodeve të dhunës do të bëjnë denoncim pranë organeve kompetente”.
I menjëhershëm pozicionimi i autoriteteve që hapën një hetim për rindërtimin e fakteve dhe identifikimin e autorëve. Vetë Capobianco, i kontaktuar me telefon konfirmoi: “Fatkeqësisht është një situatë për të ardhur keq dhe e përsëritur, që vazhdon prej muajsh. Si në rrjetet sociale ashtu edhe personalisht jam subjekt i kërcënimeve verbale. Puna mbërriti deri në këtë tentativë agresioni që më turbulloi shumë. Nuk e dëgjova me veshët e mi për shkak të atmosferës, por më thanë se ky prind më kërcënoi edhe se do të më priste kokën dhe do ta fuste në një valixhe, nëse djali i tij nuk hynte në lojë. E të mendosh se jemi vetëm në javën e dytë të kampionatit të moshave”.